Vendosni fjalën kyçe....

Rizbulimi i krizës së korrupsionit në Shqipëri


 

Nga Olsi Bakalli

Korrupsioni ndër zyrtarët e nivelit të lartë (dhe jo vetëm) është një çështje thelbësisht shqetësuese që rrezikon themelet e një shoqërie të drejtë dhe të ndershme (kur e kemi). Në Shqipëri, skenari është tërësisht i njohur – kur kapen në rrjetin e korrupsionit, këta zyrtarë vazhdimisht pretendojnë pafajësinë e tyre dhe shprehin bindjen se e vërteta do të dalë së shpejti. Ky model i përsëritur ngre pyetje të rëndësishme lidhur me motivacionet themelore dhe teoritë që hedhin dritë mbi këtë fenomen.

Si justifikohet lakmia e këtyre zyrtarëve? Pse ato fillimisht e mohojnë dhe kërkojnë pafajësinë? Pse bashkëpunëtorët e tyre (qofshin këta edhe eprorë) distancohen në mënyrë të menjëhershme prej tyre? Cilat janë zgjidhjet potenciale kur akuzat për korrupsion mund të përdoren si mjet për lojë politike? A ka një nevojë të menjëhershme për krijimin e sitemeve të qëndrueshme si hallka vetë-operuese brenda strukturave të qeverisjes?

Korrupsioni dhe skandalet nuk janë një fenomen vetëm Shqiptar. Ai mund të gjendet në vendet e zhvillura dhe në zhvillim. Korrupsioni shfaqet në forma të ndryshme si shpërblim, shpërdorim fondesh, shantazh, nepotizëm, patronazhim, korrupsion politik, i madh, i vogël, koorporativ, gjygjësor, policor, mashtrim zgjedhor, deri në shkallën më sipërore të quajtur lobim.

Ndërsa asnjë teori ekonomike nuk mund të justifikojë plotësisht ose të miratojë lakminë e zyrtarëve të përfshirë në korrupsion, ka teori që përpiqen të shpjegojnë motivimet prapa kësaj sjelljeje. Një teori e rëndësishme është teoria e kërkimit të qirasë, e cila analizon si individët ose grupet kërkojnë përfitime ekonomike përmes mjeteve të padukshme. Veprimet e kërkimit të qirasë ndodhin kur individët shpenzojnë burime për të siguruar fitime ekonomike pa krijuar asnjë vlerë shtesë. Këto zyrtarë mund të kërkojnë shpërblime ose komisione në këmbim të favorizimeve, kontratave ose licencave. Mund të shfrytëzojnë pozitat e tyre të pushtetit për të shpërdoruar fonde publike ose burime të dedikuara për projekte publike. Emërojnë miq, anëtarë të familjes, ose bashkëpunëtorë në pozita kyçe. Dhe duke patur qasje në informacion të ndjeshëm ose me autoritet rregullator mund të angazhohen në shkëmbim të brendshëm ose manipulim të tregjeve për të prodhuar fitime personale.

Në shoqëri si kjo e jona për shkak të qeverisjes së dobët, mungesës së përgjegjshmërisë, ose zbatimit të dobët të ligjeve kundër korrupsionit, kjo praktikë e normalizuar merr vëmendje vetëm kur mediatizohet nën kujdesin e vecantë.

Përballë dëshmive, është gati e pabesueshme të shohim zyrtarët e nivelit të lartë që shprehin besim të fortë në pafajësinë e tyre. Një teori ekonomike që ofron vështrime në këtë sjellje është teoria e racionalizimit, vetëruajtjes ose e interesave të veta, e cila sugjeron se individët angazhohen në një proces kognitiv të vetëmbrojtjes për të pajtuar veprimet e tyre me kompasin e tyre moral. Sipas kësaj teorie, zyrtarët e korruptuar mund të justifikojnë veprimet e tyre duke e bindur veten se nuk po angazhohen në ndonjë veprim të gabuar. Ata mund të arsyetojnë se veprimet e tyre ishin të nevojshme për të mirën e përgjithshme ose se po shfrytëzonin thjesht një mangësi në sistem në vend të pjesëmarrjes aktive në korrupsion. Kjo mosmarrëveshje kognitive u lejon atyre të distancohen nga faji dhe të mbajnë perceptimin e pafajësisë, për të mbrojtur reputacionin e tyre, pozitën sociale dhe interesat personale; ose për ta përdorur në të ardhmen si strategji ligjore.

Pas cdo skandali korrupsionin vihet re një tendencë për distancim dhe shmangie të bashkëpunëtorëve apo udhëheqësve nga zyrtari i korruptuar. Ky fenomoen shpjegohet nëpërmjet teorisë së seleksionimit të dëmshëm dhe teorisë së mbijetesës politike ose oportunizmit politik. Seleksionimi i dëmshëm nënkupton një situatë ku njëra palë posedon më shumë informacion se tjetra, duke krijuar një asimetri të informacionit. Udhëheqësi mund të pretendojë padijeni mbi veprimet e zyrtarit të korruptuar, distancim për të treguar se nuk e miraton një sjellje të tillë dhe dënim publik të aktit. Të gjitha këto në funskion të manaxhimit të reputacionit, mbijetesës politike dhe ruajtjes së aleancave politike dhe ekonomike brenda vendit.

Në disa raste, akuzat për korrupsion mund të përdoren si mjet për të sulmuar kundërshtarët politikë dhe për të dobësuar besimin publik në sistemin e drejtësisë. Ky manipulim paraqet një sfidë të madhe në adresimin efektiv të korrupsionit. Zgjidhjet për qasje të ekuilibruar në të tilla raste kanë të bëjnë me sigurimin e pavarësisë dhe integritetit të sistemit gjygjësor, themelimin e sistemeve dhe mekanizmave për monitorimin e sjelljes së zyrtarëve të lartë, inkurajimin dhe mbrojtjen e njoftuesve të korrupsionit, bashëpunimi me organizatat ndërkombëtare dhe inkurajimi i pjesëmarrjes së shoqërisë civile.

Por sigurisht që sa më sipër nuk ndodhin dot pa një sistem të konsoliduar vlerash që i japin vlerë të shtuar sistemeve të qëndrueshme vetë operuese brenda strukturës qeverisëse. Në Shqipëri ku institucionet vuajnë nga mungesa e pavarësisë, dhe përballen me sfida të korrupsionit dhe manipulimit politik, nevoja për sisteme të qëndrueshme bëhet edhe më e rëndësishme dhe zyrtarët e korruptuar mund të pengojnë vendosjen dhe funksionimin e këtyre sistemeve. Ata mund të emërojnë ose promovojnë individë që janë besnikë ndaj tyre, në vend të atyre që janë të aftë dhe të paanshëm, duke dobësuar edhe më shumë sistemet. Ata mund të pengojnë përpjekjet për të forcuar transparencën, përgjegjësinë dhe qeverisjen e mirë, duke penguar progresin në ndërtimin e sistemeve efikase dhe të përshtatshme.

Sa më sipër është panorama e krizës së korrupsionit në vendin tonë e rrëfyer nëpërmjet teorive shpjeguese mbi modelet e korrupsionit, zyrtarëve, udhëheqësve apo sistemeve. Metodat dhe modelet mbeten të njëjta në kohë dhe hapësirë, por emrat ndryshojnë. Cdo ngjashmëri me individë realë nuk është e rastësishme. Jam i bindur që Ju mund të keni më shumë se një emër përfaqësues të realitetit tonë politik dhe ekonomik për shpjegimet e mësipërme teorike. Ndryshimi fillon kur ne të mos e pranojmë më këtë fenomen si një normalitet. Mendimi ndryshe sjell refuzim, e ndryshimi i mendimit ndodh vecse nëpërmjet arsimimit. Burimi dhe zgjidhja e problemit.

 

*Shkruar enkas për Hashtag.al