Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimi i Açkës: Puç në parlament për të zgjatur mandatin e Skënder Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave


Deputetja e PD-së Flutura Açka ka akuzuar deputetët e PS-së Petro Koçi e Ismet Beqiraj se po shkelin ligjin e rregulloren e Kuvendit për të zgjatur mandatin e Skënder Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave.

Açka, që është edhe kryetare e Komisionit të Edukimit e Medias e quan ‘puç parlamentar’ kërkesën e dy deputetëve në fjalë për të futur në votim projektligjin që do zgjaste qëndrimin e Gjinushit në krye të AMSH-së.

Ajo vijon denoncimin duke shkruar në të gjitha hallkat e shqyrtimit të projektligjit të sjellë në Kuvend ka pasur shkelje, mospërputhje ligjore e manipulim të dokumentacionit.

Açka u bën thirrje deputetëve të PS-së në komision që të respektojnë ligjin e rregullat e Kuvendit si dhe t’i rezistojnë presionit për zgjatjen antikushtetuese të mandatit të Gjinushit.

“Puç në Parlament për të zgjatur mandatin e Skënder Gjinushit. Deputetët Petro Koçi dhe Ismet Beqiraj nuk mund të shkelin ligjin dhe Rregulloren e Parlamentit. 

Në vëmendje të Kryetares së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, zonjës Lindita Nikolla

Në vëmendje të medias shqiptare

Sot, pikërisht në ditën e mbarimit të mandatit të Skëmder Gjinushit si Kryetar i Akademisë së Shkencave të RSH, kur të gjitha komisionet parlamentare e kanë mbyllur sesionin e punës së tyre dhe kanë dorëzuar (sipas rregullores së Parlamentit 48 orë më parë) të gjitha vendimet për seancën e nesërme të Parlamentit, dy anëtarë të Komisionit Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik (KPEMIP), deputetët Petro Koçi dhe Ismet Beqiraj, po përgatisin një puç parlamentar, duke stisur një mbledhje jashtë rendit tê KPEMIP-së, për të kaluar në votim projektligjin e tyre famëkeq, që ia zgjat jetën në drejtimin e Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi.

Me forma tipike ilegale, me një ngut të pajustifikuar, në kundërshtim të plotë me Rregulloren e Parlamentit, duke i bërë presion të hapur kolegëve të shumicës, anëtarë të KPEMIP, duke e detyruar hapur stafin e komisionit dhe stafin e Kuvendit që mbikëqyr punën e komisioneve që të shkelë Rregulloren, në sulm të hapur ndaj zgjedhjeve të lira në Akademinë e Shkencave të RSH dhe kundër dëshirës së Asamblesë së ASH-së, në fyerje të hapur të autonomisë që i jep ligji këtij institucioni, këta dy kolegë po përpiqen ta quajnë të kryer misionin e tyre të nisur prej muajsh në shërbim personal ndaj Skënder Gjinushit.

Në të gjitha hallkat e shqyrtimi të projektligjit të sjellë në Kuvend nga kolegët Koçi e Beqiraj, ka pasur shkelje, mospërputhje ligjore, manipulime të dokumentacionit të ardhur nga ASH dhe nonsense që kërkojnë kohën e vet për një produkt cilësor. Nxitimi ka vetëm një qëllim, siç ka edhe ligji vetëm një emër: të shpëtojmë kryetarin e ikur të ASH, edhe pse për ta bërë këtë shkelet ligji hapur faqe shqiptarëve.

Si titullare e këtij komisioni i bëj me dije Kryetares së Kuvendit se deri në këto çaste nuk jam informuar për depozitimin e ndonjë kërkese në protokollin e Kuvendit për mbledhje të KPEMIP nga dy deputetët. Vetëm pas martjes së kërkesës, si drejtuese kam detyrimin ta shqyrtoj dhe të vendos datën dhe orën e mbledhjes, sipas Rregullores.

I bëj thirrje dy kolegëve deputetë të respektojnë Rregulloren e Kuvendit për thirrjen e mbledhjes së Komisionit Parlamentar dhe të mos urdhërojnë kolegët në forma private dhe jo institucionale dhe jashtë hierarkisë së përcaktuar nga kjo Rregullore. Mënyra e mbledhjes së Komisionit Parlamentar dhe procedura e mbarëvajtjes së tij është pērcaktuar shumë qartë në ligj.

Ata nuk kanë asnjë të drejtë që krizën që po kalon Akademia e Shkencave për shkak të drejtimit të saj autoritarian, t’ia transmetojnë kolegëve të tyre të Komisionit.

I bëjë thirrje kolegëve deputetë të shumicës që kanë nën presion e vazhdueshëm të ethes Gjinushiane që KPEMIP po kalon prej muajsh, të mos bie prehë e aktive joinstitucionale dhe të ngrihen në përgjegjësinë e respektimit të ligjit, për të cilin janë betuar.

I bëj thirrje stafit të Komisionit dhe stafit të Kuvendit të Shqipërisë që të respektojnë Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë dhe të mos bëjnë lojën e asnjë maskarade politike e që do t’i ngarkojë me përgjegjësi,

Para ligjit jemi të gjithë të barabartë dhe atë e garanton më së pari Kuvendi i Shqipërisë. Nëse nuk ndodh kjo as në Kuvendin e Shqipërisë, ai do të kthehet në gazerma shkeljeve ligjore dhe Shqipëria nē një republikës antikuahtetuese.

Flutura Açka

Kryetare e Komisionit Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik.” – shkruan Açka në Facebook.