Nga Irena Beqiraj
Ministri i Financave sipas ligjit për Financat e qeverisjes vendore kujdeset që financat e njësive vendore të menaxhohen në bazë të parimeve edhe standardeve të përcaktuara të mirëmenaxhimit të financave publike.
Një nga ato parime të cilin rrjedhimisht e kërkon edhe ligji, është që buxheti edhe parashikimet buxhetore afatmesme miratohen nga këshilli i bashkisë.
Meqë Ministria e Mjedisit e cila defakto qenkërka drejtuar nga Klodian Zoto kishte propozuar “që shpenzimet për shpronësimin e tokës dhe pagesat për mbetjet që përpunohen do të përballohen nga vetë bashkia me fondet e transfertave të pakushtëzuara që bën buxheti”, me të drejtë Ministri i Financave ka kërkuar shkresën “e miratimit me shkrim nga qarku Tiranë (i cili ka 5 bashki) të modelit financiar që kishte dërguar Ministria e Mjedisit”.
Megjithëse vetëm Kryetari i Bashkisë së Tiranës dha miratimin në parim më datë 27 Mars 2017, kaq mjaftoi që Ministri i Financave të jepte miratimin e tij pa komente.
Kur e kam dëgjuar për herë të parë këtë fakt nga znj. Monika Kryemadhi e cila i mëshonte me ngulm politik shpërdorimit të detyrës së kryer nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, më lindën disa pyetje që shumë politikanë e analistë të gjithëditur nuk i bëjnë.
Për ata që nuk e dinë, Ministri i Financave e di që sipas ligjit:
“Jo më vonë se data 31 janar, kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore paraqet për shqyrtim e miratim në këshill raportin për vlerësimet dhe parashikimet afatmesme të të ardhurave edhe shpenzimeve për:
a) dy vitet para vitit buxhetor;
b) vitin buxhetor;
c) tre vitet e ardhshme buxhetore.
Në bazë të këtij përcaktimi ligjor në 27 Mars, Bashkia Tiranë, apo 4 bashkitë e tjera e kishin që me datë 31 Janar një plan të miratuar nga këshilli për shpenzimet edhe të ardhurat e tre viteve të ardhshme buxhetore, ku duhet të ishin të përfshira pagesat për djegësin.
Ishte detyra e Ministrit të Financave të mos jepte pëlqimin e tij derisa të kishte të shkruar e zeza mbi të bardhë që 5 bashkitë e Qarkut ose i kishin tanimë të përfshirë pagesat në planifikimin buxhetor afatmesëm , ose të miratonin një planifikim të rishikuar duke përfshirë edhe pagesat për djegësit.
Për më tepër “Gardiani i Financave Publike”, e theksoj ku përfshihet edhe qeverisja vendore, nuk ka kurrëfarë nevoje të komunikojë me anë të një ministrie tjetër me njësitë e qeverisjes vendore. Ai i kishte të gjitha kompetencat që për çështje që lidhen me financat vendore t’i drejtohej të 5-ta bashkive me dijeni Ministrinë e Mjedisit, duke ju kërkuar t’i vendosnin në dispozicion miratimin nga këshilli të përfshirjes së pagesave për djegësin në planifikimin buxhetor afatmesëm.
Pse ministri i Financave, i hapi rrugën financimit të djegsave nga buxhetet e bashkive pa marrë miratimin e këshillave të 5 bashkive?
Çfarë e shtyu të mos e kryejë detyrën e tij deri në fund por të mjaftohet me “Një Lajthitje në Parim të kryetarit të Tiranës”, duke e ditur shumë mirë që ajo shkresë nuk i hynte në punë as dreqit nëse Ministri nuk do të nguronte të kërkonte zbatimin me përpikmëri të ligjit të hartuar nga institucioni që ai drejton?
Përtej konfliktit të interesit apo akuzave për korrupsion kur procedura e planifikimit buxhetor trajtohet si një akt formal nga Ministri i Financave, mirë qeverisja financiare ka marrë fund.
Sot djegësi i Tiranës përveç buxheteve të bashkive vendos në rrezik edhe buxhetin e shtetit.
Psh, në vitin 2023 në total pritet të paguhen për djegësin e Tiranës 14.5 milionë euro nga 7.8 milionë që ishte parashikuar në skenarin e vendosur në kontratën mes qeverisë dhe Integrated Energy BV, pra gati 2 fish më shumë.
Megjithë rritjen e tarifave të pastrimit edhe të grumbullimit të mbetjeve, thuajse në çdo bashki pagesat gjithmonë në rritje kanë gllabëruar buxhetet e bashkive duke e transferuar riskun tek buxheti i shtetit.
A nuk ishte detyra e Ministrit të Financave si “Gardiani” i Financave publike të përcaktonte mekanizmat e menaxhimin të riskut të detyrimeve në rritje që mund të vinin nga një kontratë e tillë ?
Po ishte! Por ai nuk u kujdes as për këtë.
Edhe në mungesë të tyre akrobacitë nuk munguan. Prsh, kujtoj që në 2020 Znj .Klotilda Bushka, e cila është juriste me profesion, i propozonte pa asnjë argument qe te rritej plani i të ardhurave të tvsh-së në buxhet me 4.1 milionë për t’ja dhënë ato shtesë incineratorit të Tiranës, a thua parashikimi i të ardhurave në buxhet ishte si loja me kungulleshkën. ( letra me poshte )
Detyra e Ministrit të Financave është detyra më e vështirë.
Vendimet e tij nëse janë të shkujdesura, të gabuara, apo më keq të marra në kushtet e konfliktit të hapur të interesit shpeshherë janë të parikuperueshme e me kosto të lartë për vendin.
Edhe “djegësat e Benit” siç i quanin për çudinë time të asaj kohe në Ministrinë e Financave janë dëmi më i vogël që ky i fundit ka shkaktuar gjatë menaxhimit të financave të këtij vendi.