Presidenti i Rusisë Vladimir Putin në një deklaratë pas prishjes së marrëveshjes së drithit me Ukrainën thotë se ajo kishte humbur çdo kuptim.
Putin akuzon Perëndimin se përdori marrëveshjen e grurit për shantazh politik dhe për të pasuruar korporatat, përcjell transmetuesi Sputnik në Telegram.
Sipas Presidentit rus, Perëndimi po pengon jo vetëm marrëveshjen e grurit, por edhe transferimin pa pagesë të grurit dhe plehrave nga Rusia në vendet më të varfra.
Më tej ai thekson se Rusia është ajo që po kontribuon në sigurinë ushqimore globale dhe deklaratat se Ukraina po e bën këtë janë të pavërteta.
Putin thotë se Rusia është e gatshme të vazhdojë furnizimin me grurë dhe do shqyrtojë mundësinë e kthimit të marrëveshjes nëse të gjitha parimet e pjesëmarrjes së saj merren parasysh dhe zbatohen pa asnjë përjashtim.
Kievi njoftoi të mërkurën se Rusia ia ka shkatërruar 60.000 tonë të drithërave që do të duhej të eksportoheshin.
Ministria ukrainase e Bujqësisë, ka thënë se “60.000 tonë të drithërave janë shkatërruar” në portin Çornomorsk, jashtë Odeseas.