Vendosni fjalën kyçe....

Zyrat e Shoqatës së Para dhe Tetraplegjikëve/ Blushi: Veliaj refuzon ta takojë kryetarin e degës, kërkesa e tij do dëgjohet në Këshillin Bashkiak


Sekeretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë dhe këshilltari i saj, Tedi Blushi ka denoncuar shembjen e zyrave të Shoqatës së Para dhe Tetraplegjikëve nga Bashkia e Tiranës.

Blushi përmes një reagimi shkruan se kryetari i Degës për Tiranën të kësaj shoqate z.Ali Plaka prej shumë muajsh qëndron para dyerve të Bashkisë së Tiranës dhe askush nuk e pret.

Plaka kërkon të dëgjohet në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, për faktin se zyrat u shembën në mënyrë të paligjshme dhe pa njoftim paraprak nga Bashkia e Tiranës dhe sipas Blushit, edhe Erion Veliaj refuzon ta takojë.

Blushi thotë se në lidhje me këtë rast, i premtoi zotit Plaka se zëri do t’i dëgjohet në mbledhjen e Këshillit, duke paraqitur edhe një kërkesë.

 

Statusi.

Kryetari i Degës së Tiranës së Shoqatës së Para dhe Tetraplegjikëve, z.Ali Plaka prej shumë muajsh qëndron para dyerve të Bashkisë së Tiranës dhe askush nuk e pret.

Erion Veliaj refuzon ta takojë dhe Këshilli Bashkiak i Tiranës, deri dje 100% nën kontrollin e “Rilindjes” nuk e ka miratuar kërkesën e tij për të qenë prezent në mbledhjet, që ligjërisht duhet të jenë të hapura për qytetarët.

Z.Plaka kërkon të dëgjohet për faktin se në mënyrë të paligjshme dhe pa njoftim paraprak nga Bashkia e Tiranës, zyrat e Shoqatës janë shembur brutalisht në mesnatë.

Në emër të të gjithë personave me aftësi të kufizuara në Tiranë, ai kërkon nga Bashkia një ambient ku Shoqata të ushtrojë veprimtarinë e saj.

E takova për herë të parë z.Plaka në ditën e betimit tim si Këshilltar i Partisë së Lirisë dhe i premtova se do të bëj gjithçka që zëri i tij të dëgjohet.

Ndaj sot, së bashku me të, depozitova kërkesën që në mbledhjen e nesërme të Këshillit Bashkiak të Tiranës të jetë i pranishëm për të ngritur shqetësimet e tij.