Vendosni fjalën kyçe....

Mbretëria e Bashkuar u kërkon falje veteranëve LGBTQ


Kryeministri britanik Rishi Sunak u ka kërkuar falje formale anëtarëve LGBTQ të ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar pas publikimit të një raporti që jepte hollësi se si disa anëtarë të forcave të armatosura iu nënshtruan abuzimit seksual dhe ngacmimit homofobik.

Rishikimi, i cili mblodhi prova nga më shumë se 1000 anëtarë ushtarakë dhe veteranë, dhahollësi për raste të shumta të largimit të njerëzve nga ushtria për shkak të identitetit të tyre seksual.

Shumë prej tyre u detyruan, sipas raportit, të përballen me ‘abuzimin dhe dhunën më të tmerrshme seksuale, bullizmin dhe ngacmimin homofobik, ndërsa i shërbenin me guxim këtij vendi’ gjatë karrierës së tyre ushtarake.

“Në emër të shtetit britanik, kërkoj ndjesë,” i tha Sunak Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar të mërkurën.

“Shpresoj që të gjithë të prekurit të jenë në gjendje të ndjehen krenarë si pjesë e komunitetit të veteranëve që ka bërë kaq shumë për ta mbajtur këtë vend të sigurt.”

Sunak shtoi se një pjesë e trajtimit të personelit ushtarak LGBTQ ishte ‘një dështim i tmerrshëm i shtetit britanik’.

Publikimi i raportit vjen më shumë se 20 vjet pasi Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendosi në favor të pesë anëtarëve ushtarakë të Mbretërisë së Bashkuar të cilët u pushuan nga puna për shkak se ishin homoseksualë.

Organizata bamirëse LGBTQ ‘Fighting Ëith Pride’ ka vlerësuar se midis 2,000 dhe 5,000 njerëz u ndikuan rëndë nga politikat anti-homoseksuale të forcave të armatosura të Mbretërisë së Bashkuar. Disave, tha ajo, iu hoqën medaljet e shërbimit.

Organizata bamirëse ka kërkuar gjithashtu që çdo dosje e tillë të shlyhet dhe të paguhet kompensimi prej 100,000 stërlinash (130,000 dollarë) për njerëzit e prekur.