Vendosni fjalën kyçe....

Ylli turk i Instagramit promovohet në rrjet si pilotja durrsake e Turkish Airlines


Foto e një piloteje po qarkullon në rrjetet sociale shqipfolëse me pretendimin se ajo është pilotja e parë nga Durrësi që punon për Turkish Airlines. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se gruaja në foto është në të vërtetë pilotja turke Yagmur Yilmaz Sariglou.

Foto e një piloteje është shpërndarë nga faqja glorifikuese e presidentit turk Erdogan “The Reis” me pretendimin se ajo është “pilotja e parë nga Durrësi që punon për Turkish airlines.” Faqja në Facebook ka 16 mijë ndjekës kryesisht nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

 

Megjithatë, me anë të një kërkimi me motorin e kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, “Faktoje” zbuloi se ky pretendim është i rremë.

Pilotja në foto rezulton të jetë turke dhe quhet Yagmur Yilmaz Sarioglu. Foto e mësipërme duket se është marrë nga profili i saj në Instagram. Sariglou është një personazh i njohur në Turqi si një yll i rrjeteve sociale dhe si bashkëshorte e futbollistit Sabri Sarıoğlu. Fotot që ndan nga karriera dhe jeta e saj e përditshme kanë grumbulluar rreth 110.000 ndjekës në Instagram. Deri më sot, nuk është bërë publike ndonjë lidhje e saj apo origjinë e largët me qytetin e Durrësit.

 

Foto e postuar në Instagram nga Sarioglu

“Faktoje” ka përgënjeshtruar edhe më parë postime të faqes The Reis këtu dhe këtu.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Faktoje.al