Në kulmin e diskutimeve në Kuvend për heqjen e imunitetit të Arben Ahmetajt, media BIRN publikon në faqen e vet në internet një artikull të gjatë me titullin ‘bombastik’, “Projekti i inceneratorit të Tiranës u propozua nga Erion Veliaj, thotë SPAK”.
Ky titull vihej në gojën e SPAK, duke interpretuar kështu përmbajtjen e dosjes së prokurorisë së posaçme për Arben Ahmetajn. Në brendësi, artikulli i BIRN, duke vijuar me interpretimin e përmbajtjes së dosjes së SPAK, thotë madje edhe që Arben Ahmetaj, sot në hetim dhe kërkim nga SPAK, e ka kundërshtuar.
Por, shkrimi ka një të pavërtetë të madhe që del që në titull dhe më pas rreth kësaj të pavërtetë shtjellohet i gjithë artikulli. Dosja e SPAK nuk thotë në asnjë moment që Erion Veliaj ka propozuar incenerator, pra projektin aktual të trajtimit të mbetjeve të Tiranës. Ajo që kryebashkiaku i Tiranës, sipas dokumentacionit të paraqitur edhe në dosjen e SPAK, është dorëzimi i një shkrese që qeveria të shqyrtojë mundësinë për zgjerimin e landfillit të Sharrës dhe përfshirjen në këtë projekt të privatit.
Shkresa e parë e Veliajt, ku informon qeverinë për studimin e IFC është e janarit 2016-të, që i drejtohet Ministrisë së Financave, që në atë kohë drejtohej nga Shkëlqim Cani.
Ky i fundit u largua nga detyra në shkurt të atij viti për t’u zëvendësuar nga Arben Ahmetaj. E njëjta shkresë në përmbajtje i drejtohet edhe Ahmetajt.
Në përmbajtje, sipas dosjes së SPAK, shkresa e Veliajt kërkon nga Qeveria që të shqyrtojë mundësinë e partneriteti publik-privat për zgjerimin e landfillit dhe menaxhimin e mbetjeve. Në asnjërën prej shkresave nuk flitet për incenerator.
E shpjeguar më thjesht, bëhet fjalë për dy projekte krejtësisht të ndryshme. Ai që ka propozuar Veliaj është studimi i IFC-së, që ka nisur që në kohën kur Bashkinë e Tiranës e drejtonte Lulzim Basha dhe ku propozohet edhe tarifa e shërbimit që i duhej paguar privatit të ishte prej 37 eurosh për tonë mbetje.
Ky projekt nuk parashikonte djegien e mbeturinave, por vetëm grumbullimin, diferencimin dhe riciklimin. A është një gabim njerëzor, apo ngatërresë e qëllimshme e autores së shkrimit? I gjithë debati që pasoi sugjeron të dytën.
Artikulli e shmang me apo pa dashje këtë sqarim për lexuesin, duke ushqyer idenë që inceneratori i Tiranës është propozuar nga Erion Veliaj, në një kohë që projekti, që më pas u miratua nga Qeveria shtrihet përtej kompetencave të Bashkisë së Tiranës.
Kryebashkiaku i Tiranës nuk e ka mohuar në asnjë rast se ka kërkuar pranë Qeverisë shqyrtimin e të gjitha mundësive për zgjidhjen e emergjencës mjedisore në landfillin e Sharrës.
Por, propozimi që ka dorëzuar ai në Qeveri është ai i IFC-së, ndërsa projekti që u miratua që përfshin edhe ndërtimin e inceneratorit është një ofertë e pakërkuar që ka mbërritur në Ministrinë e Mjedisit nga Klodian Zoto.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e DITA