Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Dje pas mesnate Kuvendi u mor peng, Rama mbajti premtimin për trafikantët që e ndihmuan në zgjedhje


Kreu i Partisë së Lirisë Meta ka akuzuar deputetë socialistë për miratimin e ligjit të kanabisit.

Në një deklaratë për mediat nga selia e PL-së ai theksoi se ligji në fjalë është kundërshtuar me forcë nga të gjithë pasi dëmton të ardhmen e vendit.

Meta tha se të gjitha raportet ndërkombëtare e nxijnë Shqipërinë për sa i përket lëndëve narkotike dhe miratimi i një ligji të tillë do sjellë vetëm dëme për vendin ndërsa shtoi se kryeministri Rama e miratoi ligjin duke mbajtur premtimin e bërë trafikantëve për ndihmën në zgjedhjet lokale të 14 majit.

“Dje, pas mesnate kuvendi miratoi ligjin për legalizimin e kanabisit. Një ligj i kritikuar nga të gjithë dhe i paralajmëruar që do të dëmtojë të ardhmen e vendit, i cili ka institucione mjaft të dëmtuara dhe komprementuara për të kontrolluar zbatimin e një ligji kaq delikat, i cili ka dështuar në shumë vende me një shtet shumë më funksional sesa Shqipëria. Aq më tepër kur është tepër e qartë se të gjitha raportet ndërkombëtare për fat të keq e nxijnë vendin tonë si një vend i cili është shndërruar në një qendër shumë të rëndësishme të trafikut të drogës, jo vetëm të marijuanës por edhe të kokainës dhe heroinës. Disa nga këto raporte jo vetëm të OKB dhe  të Departamentit të Shtetit e kanë theksuar në mënyrë të qartë se sundimi i dobët i ligjit dhe korrupsioni i nivelit të lart është nxitës kryesor i fenomenit të drogës në Shqipëri.  Ka theksuar qartë se ka kanabisi shqiptar dërgohet në Turqi dhe këmbehet me heroinë dhe kokainë të cilat kontrabandohen nëpër europë nga trafikantët kombëtarë shqiptar.”­ – tha Meta.

Më tej kreu i  PL-së shtoi se sipas raporteve ndërkombëtare trafikantët shqiptarë luajnë rol të rëndësishëm në trafikun e narkotikëve dhe se në vend është rritur numri i përdoruesve të lëndëve narkotike dhe sasia.

Sipas kreut të PL-së me miratimin e ligjit në fjalë kryeministri Rama ka mbajtur fjalën që u ka dhënë narkotrafikantëve për shërbimin e tyre në zgjedhjet e fundit.

Ndaj, në këto kushte duam të theksojmë edhe një herë tjetër se me vetëdije të plotë Edi Rama mbajti premtimin që iu kishte bërë narkotrafikantëve si shpërblim edhe për zgjedhjet e fundit dhe të gjitha shërbimet që ata kanë bërë për të mbajtur me çdo çmim regjimin e tij në këmbë.  Që është një regjim që kërcënon seriozisht jo vetëm sigurinë publike por edhe sigurinë kombëtare, kërcënon të ardhmen e këtij vendi, kërcënon edhe shëndetin e shumë e shumë të rinjve të vendit tonë dhe njëkohësisht bëhet një burim problemesh sociale për shumë familje shqiptare.” – shtoi Meta.

Në deklaratë kreu i PL-së theksoi edhe ligjin për studentët e Mjekësisë që i peng ata të largohen nga vendi deri në pesë vjet pasi të kenë përfunduar studimet.

Ai dënoi shmangien e mocionit me debat me kryeministrin Rama për çështjen e inceneratorëve. Në fund Meta tha se, me nisjen e sesionit të ri parlamentar, opozita do kombinojë të gjtha rrugët demokratike për t’i dhënë fund shkatërrimit të parlamentarizmit në vend e për të rikthyer llogaridhënien në të gjitha nivelet.