Vendosni fjalën kyçe....

Seanca maratonë/ PS miraton ligjin për kanabisin mjekësor e studentët e Mjekësisë, Gjinushi mandat të dytë në krye të Akademisë


Pas një seance maratonë shumica ka miratuar tre nga projektligjet më të diskutueshme së fundmi. Më 71 vota pro e 23 kundër ligjin për studentët e Mjekësisë.

Këtyre të fundit u ndalohet të largohen nga vendi për 5 vite pas përfundimit të studimeve. Projektligji në fjalë është kundërshtuar nga studentët të cilët kanë zhvilluar disa protesta para parlamentit si dhe nga opozita.

Me 70 vota pro është miratuar edhe ligji për Akademinë e Shkencave që praktikisht i mundëson kreut Skënder Gjinushi të qëndrojë si kryetar edhe për një mandat tjetër. Ligji në fjalë është kundërshtuar prej disa javësh nga deputetët e PD-së.

Ina Zhupa e Flutura Açka e kanë quajtur ligjin një puç parlamentar të miratuar nga Gjinusho-deputetët për të qëndruar në krye të AMSH-së në shkelje të ligjit e Kushtetutës. Ligji në fjalë ka hequr edhe kufizimin 75-vjeç për kreun e Akademisë së Shkencave.

Ligj tjetër polemizues që u miratua është ai për kanabisin mjekësor. Ndërkohë ai është kundërshtuar fort nga opozita, qeveria deklaron se me anë të tij synohet rregullimi dhe mbikëqyrja e kultivimit, përpunimit, qarkullimit si dhe eksportimin e bimës së kanabisit të nënprodukteve të tij dhe produkteve përfundimtare për qëllime mjekësore dhe industriale.