Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Qeveria kanabizoi Shqipërinë, SPAK të mos ndalë hetimin për abuzuesit e parave të shqiptarëve


Ish-kreu i PD-së Lulzim Basha në zinxhirin e tij të takimeve u ndal në Vlorë.

Nga Vlora në zbardhjen e takimit me mbështetësit e tij Basha theksoi kanabizimin e vend nën qeverisjen socialiste si aktin kriminal ndaj shoqërisë dhe të rinjve.

Basha përmend edhe raportin e OKB-së që e rendin Shqipërinë në vendin e 7 nga 154 vende të botës për prodhimin dhe shpërndarjen e drogës.

Ish-kreu i PD-së thotë se mbështet SPAK-un të hetojë të gjithë ata që kanë abuzuar me besimin e qytetarëve.

Postimi i plotë:

Në një shtet ku ligjin e bëjnë bandat – legalizimi i kanabisit është akt kriminal ndaj shoqërisë e sidomos ndaj të rinjve.

Tashmë është fakt botërisht i njohur se si kjo qeveri e kanabizoi Shqipërinë.

Në Raportin Botëror të Drogës për vitin 2022, publikuar nga zyra e OKB-së për krimin dhe drogën, Shqipëria renditet në vendin e 7 nga 154 vende të botës për prodhimin dhe shpërndarjen e drogës.

Pamundësitë ekonomike, varfëria e papunësia kanë detyruar qindra qytetarë të punojnë si skllevër në parcelat e kanabisit që mbroheshin nga policia. E në vend që qeveria të tërhiqte investime, që hapin vende pune, rrisin mirëqenien e tyre, legalizon industrinë e kanabisit.

Në po të njëjtën ditë kjo mazhorancë, e cila ka dështuar t’u krijojë kushte më të mira e trajtim dinjitoz mjekëve që të mos largohen, kërkon me ligj t’i “burgosë” mjekët e ardhshëm për t’i ikur përgjegjësisë së saj.

Një Shqipëri e çliruar nga korrupsioni që kërcënon mirëqenien e familjeve shqiptare, i cili është ulur këmbëkryq në zyrat e qeverisë, siç dëshmon afera e Inceneratorëve, apo abuzimi me fondet e BE për bujqësinë, është prioritet sot i çdo qytetari të këtij vendi.

Ne inkurajojmë dhe mbështesim SPAK-un të hetojë pa e ndalur hetimin e gjithkujt që ka abuzuar me paratë dhe besimin e shqiptarëve e nga ana tjetër kërkojmë sa më parë vetting-un e politikanëve, për të pastruar politikën nga të korruptuarit dhe të inkriminuarit.

Ndiq paranë por dhe lidhjet me krimin është thelbi i vetting-ut të politikanëve. Vetëm kështu para shqiptarëve do të tregohet kush është i pastër e kush jo. E jo vetëm kaq por duhen krijuar mekanizmat ligjorë dhe mbështetja e pakushtëzuar për SPAK, që paratë që u janë vjedhur shqiptarëve dhe kanë përfunduar në llogari bankare, apo janë investuar kudo nëpër botë, duhet t’u kthehen shqiptarëve!

Partia Demokratike ka nisur ndryshimin nga vetja e do ta sjellë këtë ndryshim për gjithë Shqipërinë duke u bashkuar përmes vlerave dhe ideve në Aleancën Qytetare për Demokracinë, nëpërmjet të cilës mund të formojmë një shumicë që tejkalon ndarjet politike, për të bërë ndryshimet kushtetuese që u japin forcë dhe pushtet qytetarëve, që t’i zgjedhin vetë deputetët e tyre e për të ndërtuar të ardhmen që meritojnë.