Vendosni fjalën kyçe....

Grabiten mbi 15 vila në kompleksin e VIP-ave në Dhërmi


Në vilat luksoze të jugut nuk shkojnë vetëm ekspertet e prokurorisë që hetojnë inceneratorët, por shkojnë dhe ekspertët e grabitjeve që hetojnë sëndukët.

Mbrëmjen e djeshme janë grabitur mbi 15 vila në kompleksin “Olea” në Dhërmi dhe policia e ka mbajtur të fshehtë ngjarjen.

Kompleksi “Olea” është një ndër zonat më të shtrenjta dhe ekskluzive të bregdetit shqiptar në të kanë vilat disa personazhe te njohur të politikës biznesit e spektaklit.

Deri më tani nuk ka asnjë njoftim publik nga policia kur bëhet fjalë për një grabitje masive në një nga komplekset më luksoze të bregdetit të jugut.

Nuk është rasti i pari që autoritetet nuk bëjnë publik njoftimin kur bëhet fjalë për vjedhje në banesa të personave të rëndësishëm për syrin e publikut apo në zona ekskluzive.

Kujtojmë se grabitja e një apartamenti nga sanitarja te apartamenti i Alda Klosit një ish-këshilltare e Arben Ahmetajt bëri bujë të madhe në hapësirën publike për shumën e madhe të parave që pretendoheshin se ishin të ish-funksionares të administratës publike.