Vendosni fjalën kyçe....

Orban deklarata kundër qasjes federaliste të BE-së dhe agjendës të LGBTQ


Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, të shtunën ka sulmuar Bashkimin Evropian për, siç ka thënë ai, ndërmarrjen e një “ofensive LGBTQ”, duke thënë se qeveria e tij nacionaliste do t’i mbrojë rrënjët e krishtera të vendit.

Në një fjalim në Rumani, Orban – kritik i moçëm i Brukselit – ka thënë, po ashtu, se shpreson se zgjedhjet e vitit të ardhshëm për Parlamentin Evropian do t’i forcojnë brenda bllokut qeveritë që kundërshtojnë “federalizmin” e përfaqësuar nga Gjermania dhe Franca.

Në pushtet që nga viti 2010, Orban ka miratuar më 2021 një ligj që ndalon përdorimin e materialeve që konsiderohen si promovuese të homoseksualizmit dhe të ndryshimit të gjinisë në shkolla, duke përmendur nevojën për mbrojtjen e fëmijëve nga “propaganda LGBTQ” dhe duke shkallëzuar një mosmarrëveshje me BE-në.

Ai, po ashtu, është përplasur me Brukselin për disa çështje tjera, përfshirë sundimin e ligjit dhe reformat ndaj mediave dhe gjyqësorit në Hungari.

BE-ja është “ose perandori, ose shtete [individuale]… ne nuk duhet të kemi kurrfarë iluzionesh: federalistët po përpiqen të na shtrydhin”, ka thënë Orban, raporton Reuters.

“Ata haptas dëshironin një ndryshim në qeveri në Hungari [më 2022]”, ka pohuar Orban, duke shtuar se e njëjta gjë tani po ndodh me Varshavën.

Polonia këtë vjeshtë do të mbajë zgjedhje parlamentare, teksa partia konservatore Ligj dhe Drejtësi do të synojë një mandat të tretë. Ajo ka miratuar shumë politika që i ngjasojnë atyre të Orbanit, dhe që të dy vendet janë të përfshira në një mosmarrëveshje me bllokun për sundimin e ligjit, që ka çuar në pezullimin e fondeve të caktuara të BE-së.

Orban ka thënë se një ekuilibër mes federalistëve dhe kombeve që nuk duan t’i kalojnë më shumë kompetenca Brukselit është prishur kur Britania ka braktisur bllokun, dhe tani vetëm Varshava dhe Budapesti po ruajnë “qëndrimin e tyre [antifederalist]”.

Ndërkohë, ai ka ashpërsuar retorikën e tij kundër komunitetit LGBT (lesbike, homoseksualë, biseksualë dhe trangjinorë), teksa problemet ekonomike të Hungarisë janë shtuar. Inflacioni vjetor ka kapërcyer 25 përqindëshin në çerekun e parë të vitit.

BE-ja refuzon trashëgiminë e krishterë, bën zëvendësimin e popullatës së saj përmes emigracionit… dhe ndërmerr një ofensivë LGBTQ”, ka thënë ai më 22 korrik.