Policia e Shtetit ka arrestuar në Vlorë me qëllim ekstradimi shtetasin Denis (Hoxhaj) Jazaj pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet spanjolle me akuzat për kultivim dhe trafik droge.
33-vjeçari akuzohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë shqiptarë e spanjollë, merrnin shtëpi me qira në zonën e Castellonit dhe i përshtatnin për të kultivuar bimë narkotike me anë të llambave.
“Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Fast Albania, në bashkëpunim me Policitë Vendore, për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, është finalizuar një tjetër operacion në bashkëpunim të ngushtë me DVP Vlorë. Bazuar dhe në inteligjencën policore, strukturat e hetimit të krimeve dhe ato operacionale në DVP Vlore në bashkëpunim me njësinë FAST Albania në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Castellon”, bënë të mundur kapjen dhe arrestimin provizor me qëllim ekstradimin drejt Spanjës të shtetasit :
-Denis Haskaj, alias Denis Hoxhaj, alias Denis Jazaj, 33 vjeç, banues në lagjen “Kushtrimi”, Vlorë.
Arrestimi provizor i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Castellon Spanjë, më datë 06.07.2023, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Trafik droge”, “Organizatë kriminale” dhe “Vjedhje e energjisë elektrike”, të parashikuar nga Kodi Penal i Spanjës. Ky shtetas në bashkëpunim me shtetas të tjerë shqiptarë e spanjollë, merrnin shtëpi me qira në zonën e Castellonit dhe i përshtatnin për të kultivuar bimë narkotike me anë të llambave.
Interpol Tirana vijon procedurat ligjore për ekstradimin e tij drejt Spanjës”-njofton policia.