Vendosni fjalën kyçe....

I vuri flakën shkurreve, 67-vjeçari në Durrës rrezikon jetën


Një 67-vjeçar ka rrezikuar jetën, pasi i kishte vënë flakën disa shkurreve, për të pastruar një sipërfaqe toke.

Flakët kishin dalë jashtë kontrollit, dhe në tentativë për të shuar flakët, 67-vjeçari ka pësuar djegie në duar dhe kraharor.

“Rreth orës 11:50, në lagjen nr. 10, Durrës, 67-vjeçari me iniciale Sh. D., duke pastruar afër një banese, i ka vënë zjarrin disa shkurreve, zjarri ka rrezikuar dhe banesat për rreth dhe si pasojë e përhapjes së flakëve ky shtetas ka pësuar djegie në duar dhe në kraharor. Aktualisht ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.

Shërbimet e Policisë dhe shërbimet MZSh shkuan në vendngjarje dhe bënë të mundur fikjen e zjarrit.

Është shoqëruar në Komisariatin e Durrësit, pronari i banesës, shtetasi A. K., 60 vjeç, i cili kishte punësuar 67-vjeçarin, për të pastruar. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”-njofton policia.