Vendosni fjalën kyçe....

60% e shqiptarëve nuk janë në gjendje të përballojnë një javë pushime


Shqipëria është bërë si asnjëherë tjetër këtë vit mikpritëse e turistëve nga e gjithë bota, duke shënuar hyrje rekord të shtetasve të huaj, që kanë “pushtuar” gjithë vendin, nga jugu në veri.

Çmimet relativisht të lira që ofron vendi në raport me shtete perëndimore, apo dhe publikimet e shumta në mediat e huaja për bukuritë e vendit kanë nxitur italianë, spanjollë, nordikë, çekë, polakë etj, krahas shtetasve të Kosovës, që kanë qenë gjithnjë “besnikë”.

Por, në kahun tjetër, vetë shtetasit shqiptarë e kanë të vështirë që të përballojnë pushimet. Barometri i fundit i Ballkanit, një publikim i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) gjeti se 60% e shqiptarëve nuk janë në gjendje që të përballojnë një javë pushime larg shtëpisë.

Kjo peshë është e njëjtë me vitin e kaluar dhe mbetet më e larta në rajon, me 15 pikë përqindje mbi mesataren rajonale. Vetëm 39% e shtetasve shqiptarë janë në gjendje që të përballojnë një javë larg nga shtëpia, më e ulëta në rajon.

Të dytët pas Shqipërisë janë malazezët, me 50% të të anketuarve që kanë pohuar se nuk janë në gjendje të përballojnë një javë pushime jashtë vendit. Për Maqedoninë e Veriut ky tregues është 47% dhe për Serbinë 45%

Shtetasit e Kosovës, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve i kalojnë pushimet në Shqipëri mendojnë se janë në gjendje të përballojnë pushimet, shumë më tepër sesa shqiptarët. 38% e tyre kanë pohuar se nuk kanë mundësi të përballojnë pushime, ndërsa 58% e tyre mund t’i përballojnë ato.

Më shumë mundësi për të përballuar pushimet në rajon janë banorët e Bosnjë Hercegovinës. 31% e tyre nuk kanë mundësi, ndërsa 67% deklaruan se janë në gjendje të ikin një javë për tu argëtuar.

Në Shqipëri, pamundësia për të përballuar pushimet lidhet me përdorimin e parave për shërbime më të domosdoshme. Psh 25% e të anketuarve thanë se kishin pasur të paktën një herë gjatë vitit të fundit vështirësi për të paguar faturat e drita dhe energji, nga 19% që është mesatarja rajonale.

19% kishin pasur probleme me pagesën e kësteve të kredisë; 52% kishin probleme që të mbanin shtëpinë të ngrohë (nga 24% që është mesatarja rajonale); 21% nuk kanë mundësi të përballojnë furnizimet bazë si ushqime, apo veshje (nga 17% mesatarja rajonale);

Për të nëntën herë radhazi, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal publikon rezultatet e Barometrit Ballkanik – sondazhi vjetor i realizuar me gjashtë mijë qytetarë nga i gjithë Ballkani Perëndimor, duke dhënë një pasqyrë mbi opinionet e tyre rreth bashkëpunimit rajonal, integrimit në BE, besimit tek institucionet publike dhe media, shqetësimet e tyre më të mëdha, punësimi, ndryshimet klimatike, siguria, jeta digjitale, transporti, sundimi i ligjit, udhëtimet, etj./Monitor