Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet ish-drejtori i Policisë së Shtetit në Malin e Zi


Ish-drejtori i Policisë së Malit të Zi, Veselin Veljoviq, është arrestuar mëngjesin e sotëm në një aksion të Departamentit Special të Policisë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Shtetit.

Veljoviq është arrestuar në bashkëpunim me Agjencinë e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Zbatimin e Ligjit (EUROPOL), shkruan Vijesti.

Policia ka kontrolluar banesat dhe shtëpitë e Veljoviqit në Podgoricë, Mojkovac, Zhabljak dhe Nikshiq që herët në mëngjes.

Veselin Veljoviq ka qenë drejtor i Drejtorisë së Policisë nga vera e vitit 2007 deri në vitin 2011 dhe më pas në periudhën prej 30 korrikut 2018 deri më 17 dhjetor 2020 ka qenë njeriu i parë i policisë malazeze në mandatin e tij të dytë.

Gjatë karrierës së tij në krye të sektorit të sigurisë, Veselin Veljoviç shpesh është akuzuar nga partitë opozitare, disa organizata joqeveritare dhe media për mostransparencë, keqpërdorim të policisë dhe pushtetit, besnikëri të padiskutueshme politike ndaj Milo Gjukanoviçit, por edhe për përfshirje në raste të shumta të shitjes së pronës shtetërore.

Pas përfundimit të mandatit të parë, Veljoviç ka qenë këshilltar i presidentit të atëhershëm të Malit të Zi, Filip Vujanoviç, në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, ndërsa në kohën e Qeverisë së Milo Gjukanoviçit, nga viti 2014, ka qenë edhe sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.