Vendosni fjalën kyçe....

Ish-kryeredaktori i Syri-t hedh poshtë spekulimet për skandal seksual


Skandal seksual në televizionin e familjes Berisha? Si përgjigjet kryeredaktori i shkarkuar i SYRI-t

Gazetari Leonard Quku, ish-kryeredaktori i shkarkuar i faqes online të kanalit SYRI, ka dhënë një intervistë për gazetën DITA, e cila botohet e plotë nesër në versionin print të saj.

Ndër të tjera, Quku pyetet për thashethemet se në kanalin që njihet si televizioni i familjes Berisha, ka ndodhur një skandal seksual.

Si përgjigjet gazetari i shkarkuar për këtë lajm të shpërndarë në disa media online? Më poshtë, pjesë nga intervista në DITA:

Zoti Quku, disa media që kanë raportuar reagimet tuaja kanë aluduar për një skandal seksual që ju jeni në dijeni. Duke ju referuar datës 29 Maj ora 17:10, të theksuar prej jush në statuset e Facebook. A jeni ju dëshmitar okular i një skandali seksual në Syri.net? Dhe nëse jo, si ka mundësi që nuk i keni mohuar me forcë këto aludime mediatike me statusin tuaj?

Nuk kam dijeni për një gjë të tillë. Sikurse ju, edhe unë kam dëgjuar thashethemet që nuk duhen marrë si të vërteta. Mendoj se shpërndarja e tilla hamendësimeve ka për qëllim të shpërqendrojë vëmendjen nga problematika reale. Historitë rozë, historitë me pasione janë gjëja e fundit që më shqetëson. Më shqetëson keqtrajtimi që iu bëhet gazetarëve, më shqetëson diskriminimi i tyre, më shqetëson flakja e tyre në rrugë dhe askush, asnjë autoritet, asnjë institucion, asnjë aktor nuk i merr në mbrojtje. Gazetarët janë shtresa më e diskriminuar. Mbrojtësit më të mëdhenj të interesit publik janë më të pambrojturit. Kjo është alarmante dhe duhet të shërbejë si një kambanë alarmi.

Mëse dakord, po a nuk mundeshit ju që me dy gisht status në Facebook të hidhnit poshtë këto aludime duke i mohuar publikisht? Dua të kuptoj pse nuk keni reaguar ndaj këtyre aludimeve?

Gjykoj që kjo çështje nuk më përket mua. Me sajesa të neveritshme që duan të lidhin emrin tim me histori rozë apo skandale seksuale të dikujt tjetër, nuk merrem. Unë mbaj përgjegjësi për këto që kanë autorësinë time. Dritarja ime e vetme komunikative është profili im në Facebook, aty jemi të gjithë njerëz të lirë për shprehje mendimesh, askush nuk censurohet për opinionin e tij, siç mund ta verifikoni edhe vetë. E ritheksoj, ajo që na shqetëson dhe duhet të na bëjë bashkë si gazetarë si mua ashtu edhe ju, është mungesa e sigurisë në ushtrimin e profesionit tonë, kontratat e punës që nuk respektohen, pagat qesharake etj.

E kuptoj shumë mirë këtë që ju thoni, por ama një reagim nga ana juaj, një mohim do ishte siguresë që t’i jepej fund spekulimit, çne nuk i mohuat kategorikisht këto aludime publike për skandal seksual? Neglizhencë apo diçka tjetër?

Spekulimit t’i japin fund ata që e kanë nisur duke shpërndarë banalitete në rrjet. Wall-i im nuk mund të ndotet me thashetheme që për mendimin tim janë dashakeqe dhe synojnë të shfokusojnë vëmendjen nga ato që unë po ngre si shqetësime.

Zoti Quku, ju jeni shprehur se zoti Gazmir Spahija ka sekuestruar kompjuterin tuaj, ka fshirë user-in tuaj dhe gjithë aktivitetin tuaj elektronik në sistemin e Syri.net. Çfarë kishte aq të rëndësishme user-in juaj? Çfarë përfitonte zoti Spahija nëse asgjësonte këto të dhëna?

Sekuestrimin e kompjuterit unë e lidh me urgjencën për të zhdukur programet e përgjimit. Një ish-bashkëpunëtor i SHIK-ut me paranoja nga zanati në të kaluarën, Gazmir Spahija, përgjon “elementët e dyshimtë”. Nga bisedat infantile që lëshon lart e poshtë tashmë, mendoj se pjesë e “elementit të dyshimtë” mund të kem qenë edhe unë. Sikurse mund të jenë edhe plot kolegë të tjerë aty. Fatkeqësi që këtij personi i është lënë drejtimi i medias së vetme opozitare në vend, medias ku janë sytë dhe shpresat e demokratëve për një linjë ndryshe në përcjelljen e lajmit, jo siç del i gatuar nga zyra e kryeministrit, por duke denoncuar korrupsionin, padrejtësinë ndaj qytetarëve dhe mbrojtjen e interesit të tyre.

Fshirja e user-it është bërë me qëllim zhdukjen e çdo gjurme timen në sistem, duke parashikuar ndoshta përballjen në gjykatë e cila mund të kërkonte prova të kësaj natyre. Por, edhe njëherë, e gjitha është paranojë…

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Gazeta Dita