Vendosni fjalën kyçe....

Pekini thotë se do marrë ‘të gjitha masat e nevojshme’ kundër spiunëve amerikanë


Kina ‘do marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur sigurinë kombëtare’ kundër rrjeteve të spiunazhit amerikan, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Mao Ning në një konferencë për shtyp të hënën.

“Shtetet e Bashkuara nga njëra anë vazhdojnë të përhapin dezinformata mbi të ashtuquajturat ‘spiunime kineze dhe sulme kibernetike’, dhe nga ana tjetër i tregon publikut për veprimtaritë e saj të inteligjencës në shkallë të gjerë që synojnë Kinën,” u tha Mao gazetarëve.

“Kjo në vetvete zbulon mjaft. Kina do marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur sigurinë kombëtare.”

Katër ditë më parë, drejtori i CIA-s, William Burns, tha në një konferencë sigurie në Kolorado se agjencia e tij aktualisht drejtonte agjentë në Kinë.

“Ne kemi bërë përparim dhe po punojmë shumë për t’u siguruar që kemi një aftësi shumë të fortë të inteligjencës njerëzore për të plotësuar atë që mund të fitojmë përmes metodave të tjera,” u tha Burns të pranishmëve.

Është e paqartë pse Burns zgjodhi të zbulojë publikisht veprimtarinë e fundit të agjencisë së tij në Kinë, veçanërisht dy muaj pasi shefi i CIA-s vizitoi Pekinin në një përpjekje të dukshme për të lehtësuar tensionet midis dy fuqive.

Për më tepër, pranimi i Burns vjen dy vjet pasi CIA paralajmëroi të gjitha zyrat e saj të huaja se informatorët e saj po kapeshin dhe rekrutoheshin nga shërbimet rivale në Kinë, Rusi, Iran, Pakistan dhe vende të tjera.