Vendosni fjalën kyçe....

Rusia sulmon magazinat e grurit në portet e lumit Danub


 

Dronët rusë kanë sulmuar portet e Ukrainës në lumin Danub, duke shkatërruar infrastrukturën e magazinimit të grurit, thonë zyrtarët lokalë.

Objektet janë vetëm përtej lumit nga shteti i Rumanisë, anëtare e NATO-s.

Danubi është një rrugë kryesore eksporti për Kievin që kur Rusia u tërhoq nga një marrëveshje që lejon Ukrainën të transportojë grurë, misër dhe produkte të tjera nëpërmjet Detit të Zi.

Një depo drithi u shkatërrua gjithashtu në qytetin port të Detit të Zi, Odesa, i cili është nën sulm pothuajse çdo natë.

Zyrtarët thonë se më shumë se 60,000 ton drithë janë shkatërruar javën e kaluar, sipas BBC.

Tregjet globale kanë parë rritjen e çmimit të drithit me 8% brenda një dite pas tërheqjes së Rusisë nga marrëveshja e grurit, më 17 korrik.

Rënia e marrëveshjes do të thotë gjithashtu se Rusia ka rifilluar shënjestrimin e vendeve portuale në Ukrainë, të cilat ishin pezulluar gjatë marrëveshjes.

Kreu i Odesa-s, Oleh Kiper, rajoni i të cilit mbulon gjithashtu portet e Danubit, Reni dhe Izmail, tha në kanalin e tij Telegram se Rusia kishte sulmuar infrastrukturën atje për katër orë me drone të prodhuar nga Irani.

Ai tha se u shkatërruan një hangar drithi dhe rezervuarë për ruajtje. Zyrtarë të tjerë lokalë thonë se tre magazina u bombarduan.

Tre drone nga rreth 15 të përfshirë në sulm u shkatërruan nga mbrojtja ajrore, shtoi zoti Kiper.

Katër persona u plagosën, njëri në gjendje të rëndë, thanë zyrtarët.

Presidenti rumun Klaus Yohannis e dënoi sulmin “shumë afër” me vendin e tij.

“Ky përshkallëzim i fundit paraqet rreziqe serioze për sigurinë në Detin e Zi. Ai gjithashtu ndikon në tranzitin e mëtejshëm të grurit në UA [Ukrainë] dhe kështu sigurinë globale të ushqimit,” tha ai në Twitter.

Mediat rumune raportuan se ushtarët dhe marinarët në anën e kundërt të lumit mund të shihnin drita të ndritshme dhe të dëgjonin afrimin e dronëve dhe shpërthimet.

Një gazetar e përshkroi atë si goditjen më të afërt me territorin rumun që nga fillimi i luftës. Reni është rreth 200 metra nga Rumania përtej Danubit dhe 10 km nga porti rumun i Galatit.