Komisioni Zgjedhor në pjesën e PD-së që do bëjë zgjedhjet për kreun e saj më 29 korrik është mbledhur sot.
Kreu Jemin Gjana tha se zgjedhjet e 29 korrikut janë të ligjshme duke hedhur poshtë deklaratën e mbrëmshme të Gazment Bardhit se zgjedhjet janë të paligjshme.
Për çështjen e vulës, Gjana tha se ajo i përket partisë dhe se duhet për zgjedhjet e 29 korrikut.
“Sa për vulën, më vjen keq por unë nuk mendoj se vlen për audiencën, për publikun. Vula e PD si vula e çdo institucioni publik, ka një zyrë protokolli dhe arkive. Vula në dijeninë time ka qëndruar në zyrën e protokollit. Se mban as Sekretari i Përgjithshëm, as kryetari. Rri në protokollin e institucionit. E dini pse e morëm vendimin, sepse po vinte momenti për zgjedhjen dhe rezultoi që s’kishim më vulë dhe natyrisht do e krijonim. Me duket e ulët ta marrësh vulën në xhep.” – tha Gjana.
Lidhur me zgjedhjet, Gjana tha se janë verifikuar listat e anëtarësisë sipas degëve ndërsa për legjitimitetin e zgjedhjeve për kreun e PD-së ai ftoi palët që kanë kundështi apo ankesa t’i drejtohet organeve të partisë.
“Në të gjitha rastet degët e PD-së kanë sjellë verifikimin e listave të anëtarësisë. Nuk i kemi bërë ne në Tiranë. Sigurisht ka pasur grupe pune dhe të kryesisë. Në asnjë rast nuk ka pasur që organizohen zgjedhje në parti dhe të mos ngrihen grupe pune me anëtarë të kryesisë qendrore të PD-së, deputetë. Ata që kanë pranuar të shkojnë. Zgjedhjet janë tërësisht legjitime. Kush pretendon për mungesë legjitimeti, debati nuk është debat rruge por ka institucione brenda partisë dhe jashtë që marrin vendime dhe e çojnë drejtësinë në vend. Kush ka ankesa aty e ka sistemin për t’u ankuar.” – shtoi Gjana