Greqia vazhdon përpjekjet për të kontrolluar zjarret në ishullin Rodos, për të shtatën ditë me radhë.
Qindra turistë që u detyruan të evakuohen, pritet të kthehen në vendet e tyre.
Ndërkohë rreth 20.000 njerëz u evakouan nga shtëpitë dhe hotelet në Rodos, ditëve të fundit, pasi zjarret që nisën një javë më parë, u përhapën dhe arritën vendpushimet bregdetare në juglindje të ishullit.
Greqia përfshihet shpesh nga zjarret, sidomos gjatë verës, por ndryshimet klimatike kanë shkaktuar sivjet valë më ekstreme të të nxehtit në të gjithë Evropën jugore.
Qindra zjarrfikës, me përforcime nga Turqia dhe Sllovakia, janë duke luftuar me flakët pranë fshatrave Genadi dhe Vati në juglindje të Rodosit.
Zjarret shpërthyen gjithashtu edhe në ishullin e Korfuzit, në pjesën perëndimore të Greqisë, dhe në ishullin Evia, pranë kryeqytetit të Athinës.
Ndërsa ditën e sotme një avion Canadair u rrëzua në Karystos, në zonën e Patanistos, i cili po shuante flakët nga ajri.
Aeroplani me dy pilotë është përplasur teksa operonte për shuarjen e flakëve në Karystos, i cili ka rënë në një gropë dhe më pas ka shpërthyer në flakë.
Dyshohet se dy anëtarët që ndodheshin në bord kanë humbur jetën.
Greqia ka shënuar temperatura shumë të larta javëve të fundit dhe ato pritet të mbeten të tilla së paku deri të mërkurën, duke i tejkaluar 44 gradë Celsius në disa zona.
Turizmi përbën 18% të prodhimit të Greqisë dhe një në pesë vende pune. Në Rodos dhe shumë ishuj të tjerë grekë, varësia nga turizmi është edhe më e madhe.
Ndërsa një foto e dhimbshme e një zjarrfikëseje që prej ditësh merr pjesë në shuarjen e zjarreve shkatërruese në Greqi, është publikuar në rrjetet sociale.
Gruaja zjarrëfikëse tregohet duke shfaqur dhimbjen e saj në luftën ndaj flakëve, ndërsa fotoja tregon njëherazi fatkeqësinë në të cilën ndodhet Greqia.
Fotoja është postuar në faqen “Parashikimi i motit në Greqi”, së bashku me mesazhe inkurajuese për të gjithë zjarrfikësit, grekët dhe turistët që përjetojnë këtë ferr.
Nuk dihet se ku është bërë fotografia, por ajo është realizuar nga Đanis Joanidis.
Për 7 ditë në gjithë Greqinë janë djegur në total mbi 340 mijë hektarë pyje. Kryeministri grek paralajmëroi ndëshkime të ashpra për zjarrvëniet, ndërsa tha se vendin e pret një situatë tepër e vështirë përgjatë pjesës së mbetur të sezonit veror.