Presidenti rus Putin nënshkroi të hënën një projektligj që ndalon ligjërisht operacionet e ndryshimit të gjinisë.
Legjislacioni, që synon rregullimin më të rreptë të asaj që deputetët e përshkruan si ‘industria transgjinore’, ndalon ndryshimet ligjore të gjinisë dhe ndërhyrjet mjekësore që lidhen me tranzicionin, përveçse për arsye të rënda mjekësore.
Administrimi i barnave dhe operacioneve të lidhura me terapinë e ndryshimit të gjinisë do lejohet tashmë vetëm në rastet që kërkojnë trajtim të deformimeve të organeve riprodhuese tek fëmijët.
Vetëm klinikat e licencuara të lidhura me Ministrinë Ruse të Shëndetësisë tani mund të marrin vendime për trajtime të tilla dhe të lëshojnë certifikata përkatëse, thotë legjislacioni.
Njerëzit gjithashtu nuk mund të ndryshojnë lirisht gjininë e tyre në letërnjoftime dhe dokumente të tjera. Ata që e bënë këtë nuk mund të birësojnë fëmijë sipas ligjit të ri. Edhe çiftet e martuara mund t’i shpallin të pavlefshme martesat nëse njëri prej bashkëshortëve ndryshon gjininë.
Sipas zv. ministres ruse të Shëndetësisë, Evgenia Kotova, mbi 2,000 njerëz ndryshuan ligjërisht gjininë e tyre në vend midis 2018 dhe 2022, kur praktika ishte e ligjshme.
Kryetari i Dumës, Vyacheslav Volodin, kritikoi atë që ai e quajti industrinë perëndimore të transgjinorëve, ndërsa mbronte arsyetimin pas ligjit.
“Kjo është rruga që çon në degradimin e një kombi,” tha ai, duke deklaruar se ligji i sapomiratuar ishte krijuar për të shmangur një skenar të tillë.
Legjislacioni ende lejon trajtimin e sëmundjeve përkatëse.
Aktivistët e të drejtave trans e kritikuan ligjin, duke argumentuar se ai pakëson seriozisht të drejtat e personave transgjinorë në Rusi.
Kritikët pohuan gjithashtu se formulimi i legjislacionit krijon pasiguri në lidhje me trajtimin e sëmundjeve të caktuara që nuk lidhen me procedurat e ndryshimit të gjinisë, si mastektomia për gratë e predispozuara gjenetikisht ndaj kancerit të gjirit.