Vendosni fjalën kyçe....

Ndahet nga jeta në moshën 56-vjeçare këngëtarja irlandeze Sinead O’Connor


Këngëtarja dhe aktivistja irlandeze Sinéad O’Connor është ndarë nga jeta në moshën 56-vjeçare.

Në një deklaratë, familja e këngëtares tha: “Me pikëllim të madh njoftojmë ndarjen nga jeta të Sinéad-it tonë të dashur. Familja dhe miqtë e saj janë të shkatërruar dhe kanë kërkuar privatësi në këtë kohë shumë të vështirë”.

Ajo ishte më e njohur për këngën e saj ‘Nothing Compares 2 U’, e publikuar në vitin 1990, e cila vijoi të qëndronte për shumë kohë në Hit Parade në mbarë botën.

Këngëtarja, e cila ishte e hapur në pikëpamjet e saj sociale dhe politike, publikoi gjithsej 10 albume.

Albumi i parë i O’Connor, ‘The Lion and the Cobra’, doli në 1987, duke hyrë në top 40 në Britani dhe SHBA.

E shkruar nga Prince, kënga ‘Nothing Compares 2 U’ arriti numrin një në mbarë botën, duke përfshirë SHBA dhe Britani.

Djali 17-vjeçar i këngëtares nga Dublini, Shane, vdiq vitin e kaluar, disa ditë pasi u raportua i zhdukur.

Duke shkruar në mediat sociale pas vdekjes së tij, ajo tha se ai ‘kishte vendosur t’i jepte fund luftës së tij tokësore’ dhe kërkoi ‘askush të mos e ndjekë shembullin e ti’”.

Duke u konvertuar në Islam në vitin 2018, ajo ndryshoi emrin e saj në Shuhada, por vazhdoi të këndojë me emrin e saj të lindjes.

Në vitin 1992, një nga ngjarjet më të shquara të karrierës së saj ndodhi kur ajo grisi një foto të Papa Gjon Palit II në shfaqjen televizive amerikane Saturday Night Live, ku ajo ishte interpretuesja e ftuar.

Veprimi i saj çoi në ndalimin e saj të përjetshëm nga transmetuesi NBC dhe protesta kundër saj në SHBA, ku u shkatërruan kopjet e regjistrimeve të saj në Times Square të Nju Jorkut.

“Nuk më vjen keq që e bëra. Ishte e shkëlqyer,” tha ajo në një intervistë me Neë York Times në 2021.

Rrjetet sociale u vërshuan me homazhe për këngëtaren pasi u njoftua për vdekjen e saj mbrëmjen e së mërkurës.