Kreu i Partisë së Lirisë deklaroi sot se përkeqësimi i klimës së investimeve për shkak të korrupsionit është një tjetër rekord i zi i qeverisë që ka pasoja të rënda e afatgjata ndaj ekonomisë.
Teksa komentoi raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve, Meta theksion se korrupsioni, politikat jo transparente, koncesionet e PPP-të abuzive, inceneratorët, trafiku i drogës, kontrabanda e evazioni fiskal kanë sjellë klimë mbytëse për investitorët e huaj e ata vendas.
“Përkeqësimi i klimës së investimeve në Shqipëri për shkak të korrupsionit të lartë dhe të përhapur në çdo sektor, sipas raportit vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit, është një tjetër rekord i zi i Qeverisë me pasoja të rënda dhe afatgjata për ekonominë. Vendimet arbitrare, politikat fiskale jo transparente dhe klienteliste që cënojnë konkurrencën dhe sipërmarrjen e lirë, prokurimet, koncensionet dhe PPP-të abuzive, megaafera e inceneratorëve që nuk ndalet, fluksi i madh i të ardhurave të paligjshme nga trafiku i drogës, kontrabanda e lartë, evazioni fiskal, si dhe zhvlerësimi dramatik dhe i qëllimshëm i Euro-s sigurisht që do të sillnin këtë klimë mbytëse për investitorët e brendshëm dhe të huaj.” – shkruan Meta.
Kreu i Partisë së Lirisë shton se të dhënat tronditëse janë një kambanë e fortë alarmi për rrezikun e falimentimit të vendit si dhe nevojës të kthimit të ekonomisë në normalitet.
“Këto të dhëna tronditëse vijnë vetëm pak kohë pasi edhe Bashkimi Europian ndaloi investimet në bujqësi për shkak të korrupsionit. Konkluzionet janë një këmbanë e fortë alarmi për rrezikun e falimentimit të Shqipërisë dhe nevojës jetike të kthimit të ekonomisë në normalitet në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm.” – mbyll shënimin Meta.