Vendosni fjalën kyçe....

Operacioni masiv i policisë, Balla: Goditja e krimit do e çojë në tjetër nivel funksionimin e shtetit ligjor


Ministri i Brendshëm Balla ka vlerësuar aksionin e policisë ku janë arrestuar disa persona mes të cilëve biznesmeni Pëllumb Gjoka, kreu i prokurorisë së Kukësit Xhevahir Lita e ish-kreu i Operacionales Olti Bistri.

Balla shkruan se aksioni po zhvillohet në bashkëpunim me SPAK-un dhe se tregon vullnetin e institucioneve për të goditur krimin e për ta çuar në tjetër nivel funksionimin e shtetit ligjor.

“Gjatë gjithë natës së sotme Policia Shtetit ka finalizuar një operacion kompleks të goditjes së krimit të organizuar, rezultat konkret i bashkëpunimit të ngushtë me Prokurorinë e Posaçme, të cilën e falënderoj për bashkëpunimin dhe besimin. Në rrjetën e këtij bashkëpunimi kanë rënë eksponentë të krimit të organizuar, zyrtarë të Policisë së Shtetit, si edhe prokurorë të implikuar me krimin. Ky operacion domethënës është një pasqyrë e qartë e vullnetit të agjencive tona ligjzbatuese për ta goditur krimin në të gjithë spektrin e tij dhe për ta çuar në një nivel tjetër zotërimin e shtetit në funksion të rendit ligjor në Republikën e Shqipërisë. Përgëzoj drejtuesit dhe pjesëmarrësit e uniformave blu në këtë operacion, për profesionalizmin e lartë dhe mbi të gjitha për sigurinë e plotë të informacionit sensitiv deri në finalizimin e operacionit. Gjithashtu shpreh besimin e plotë se forcimi i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese dhe lufta e përbashkët për spastrimin e vatrave të krimit përballë dhe brenda vetë organizmit të shtetit, do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit. Faleminderit të gjithëve dhe vetëm përpara!” – shkruan Balla.