Vendosni fjalën kyçe....

Zyrtarët: Kievi ka nisur një operacion të madh kundër forcave ruse – VOA


Ukraina ka nisur një përpjekje të madhe për të zhvendosur forcat ruse nga juglindja e vendit si pjesë e kundërofensivës së saj tashmë shumë javore, duke angazhuar mijëra trupa në betejë, sipas zyrtarëve dhe analistëve perëndimorë dhe ukrainas.

Rritja e numrit trupave dhe fuqisë ushtarake është përqendruar në rajonin e Zaporizhzhias, tha një zyrtar perëndimor të mërkurën vonë.

Zyrtari nuk ishte i autorizuar të komentonte publikisht këtë çështje dhe foli në kushte anonimiteti.

Luftimet janë intensifikuar javët e fundit në pika të shumta përgjatë vijës së frontit prej 1500 kilometrash, ndërsa Ukraina po përdor armët e avancuara, të marra nga Perëndimi, dhe trupa të stërvitura nga Perëndimi kundër forcave ruse, që filluan sulmin ndaj vendit të tyre 17 muaj më parë.

Kundërofensiva është një operacion masiv ushtarak, për të cilin ka të ngjarë të jenë bërë përgatitje për një kohë të gjatë. Planifikuesit ushtarakë duhet të marrin masa për furnizime me municion, ushqim, pajisje mjekësore dhe pjesë këmbimi në vijën e frontit. Ushtria ukrainase përballet me pozicione të forta mbrojtëse të trupave ruse, përfshirë fusha të minuara, llogore dhe pengesa për tanket.

Zyrtarët ukrainas kanë qenë kryesisht të heshtur për zhvillimet në fushën e betejës që nga fillimi i kundërofensivës, megjithëse zëvendësministrja e Mbrojtjes, Hanna Maliar tha se trupat urkainase po përparojnë drejt qytetit të Melitopolit në rajonin e Zaporizhizhias.

Ndonëse kjo lëvizje mund të jetë një mashtrim taktik, pasi të dyja qeveritë kanë përdorur dezinformimin për të fituar avantazhe në fushën e betejës, një manovrim i tillë do të ishte në përputhje me atë që disa analistë kishin parashikuar.

Analistët kanë parashikuar një kundërofensivë që do të përqëndrohej në korridorin tokësor midis Rusisë dhe gadishullit të Krimesë, të aneksuar nga Moska, duke lëvizur drejt qytetit të Melitopolitit, i cili ndodhet afër bregut të detit Azov.

Kjo mund të ndajë forcat ruse në dysh dhe mund të ndërpresë linjat e furnizimit për njësitë që ndodhen më në perëndim. Rusia aktualisht kontrollon të gjithë vijën bregdetare të Detit Azov.

Luftimet intensive po zhvillohen në zona në jug dhe lindje të Ukrainës, larg kryeqytetit të vendit, Kievit, dhe nuk është e mundur të verifikohen pretendimet e asnjërës palë.

Instituti i Studimit të Luftës, me bazë në Uashington, raportoi se forcat ukrainase nisën “një operacion të rëndësishëm kundërsulmues të mekanizuar në rajonin perëndimor të Zaporizhzhias” të mërkurën, duke shtuar se ato “duket se kanë thyer disa pozicione mbrojtëse ruse.”

Instituti Studimit të Luftës citoi burime ruse, duke përfshirë Ministrinë ruse të Mbrojtjes dhe disa blogerë të shquar ushtarakë rusë.

Por guvernatori, i emëruar nga Moska, i rajonit pjesërisht të pushtuar të Zaporizhzhias, Yevgeny Balitsky, tha se forcat ukrainase të enjten në mëngjes u përpoqën pa sukses të thyenin mbrojtjen ruse në këtë zonë.

Forcat e Kievit “pësuan humbje të konsiderueshme dhe u tërhoqën”, tha zoti Balistky.

Megjithatë, në atë që dukej si një masë paraprake, Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë, FSB, të enjten ndaloi hyrjen e civilëve në Arabat Spit të Krimesë, një rrip i ngushtë toke që lidh gadishullin e aneksuar me rajonin pjesërisht të pushtuar të Khersonit, i cili është një portë kyçe për në Krime.

Ndalimi pa afat i hyrjes së civilëve në këtë zonë është i nevojshëm për të trajtuar kërcënimet e sigurisë, tha FSB në një deklaratë të cituar nga agjencia ruse shtetërore e lajmeve “RIA Novosti”.

Zyrtarët amerikanë nuk pranuan të komentojnë publikisht mbi zhvillimet e fundit, megjithëse më parë kanë bërë thirrje për durim ndërsa Ukraina përpiqet të thyejë pozicionet mbrojtëse të forcave ruse.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin tha gjatë një vizite në Papua Guinenë e Re se përpjekja e Kievit për të rimarrë territoret e pushtuara nga Rusia që nga fillimi i shkurtit të vitit 2022 do të jetë “e vështirë” dhe “e gjatë”, me suksese dhe pengesa.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se “një betejë intensive” po zhvillohet, por nuk pranoi të japë detaje.

Ne besojmë se mjetet, pajisjet, trajnimi, këshillat që shumë prej nesh kanë ndarë me ukrainasit gjatë shumë muajve i vendosin ata në pozitë të mirë për të qenë të suksesshëm në terren në rikuperimin e më shumë territoreve të Ukrainës të pushtuara nga Rusia”, tha zoti Blinken gjatë një vizite në Zelandën e Re.

Ndërkohë, në një sulm me raketa në rajonin jugor të Ukrainës, Odesa, u vra një civil dhe u dëmtua më tej infrastruktura portuale e rajonit, në sulmin më të fundit pas tërheqjes së Moskës nga marrëveshja për eksportin e grurit, njoftoi të enjten guvernatori i Odesës, Oleh Kiper.

Në këtë sulm u përdorën raketa me vetëdrejtim det-tokë, “Kalibr”, të cilat u lëshuan nga Deti i Zi, tha ai.

Forcat Ajrore të Ukrainës thanë të enjten se kishin shkatërruar 36 raketa të lëshuara nga bombarduesit strategjikë rusë Tu-95MS./VOA