Ambasada amerikane në Kosovës dhe BE-ja kanë reaguar ashpër pas vendimit të sotëm të qeverisë së kryeministrit Kurtit për hedhjen poshtë të ankesë së Klan Kosova për pezullimin e certifikatës së biznesit.
Në deklaratën e QUINT-it (SHBA, Britani, Francë, Gjermani, Itali) dhe BE-së theksohet se vendimi i sotëm i qeverisë Kurti për pezullimin e licencës së Klan Kosova është ndjekur me shqetësim të thellë.
Sipas SHBA-së e BE-së vendimi i sotëm është joproporcional e do ketë pasoja në pluralitetin mediatik të Kosovës.
Në fund të deklaratës nënvizohet se revokimi i licencës së çdo mediaje është hap me peshë që kërkon shqyrtim rigoroz ndërsa theksojnë se presin një proces të drejtë e transparent ligjor për zgjidhjen e situatës.
Deklarata
“Deklaratë QUINT dhe BE në Kosovë për vendimin e 28 korrikut të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë lidhur me Licencën e Biznesit të Klan Kosovës, 28 korrik 2023
Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në Kosovë shprehin shqetësimin e tyre të thellë për vendimin e sotëm të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që konfirmon pezullimin e licencës së biznesit të Klan Kosovës.
Jemi veçanërisht të shqetësuar se heqja e licencës së biznesit të Klan Kosovës është një vendim joproporcional që do të ketë pasoja në pluralitetin mediatik në Kosovë. Revokimi i licencës së çdo media është një hap i rëndësishëm që kërkon shqyrtim rigoroz. Liria e shprehjes dhe e informimit janë tipare thelbësore të shoqërive demokratike. Presim një proces të drejtë dhe transparent ligjor për zgjidhjen e situatës.”