Vendosni fjalën kyçe....

Kurti: Zbatimi i ligjit kundër pronarëve që e shkelin nuk nënkupton sulm ndaj lirisë së mediave


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka reaguar mbi rastin e pezullimit të licencës së biznesit që ka në pronësi edhe televizionin Klan Kosova.

Kurti tha se zbatimi i ligjit kundër biznesmenëve që e shkelin atë për përftime financiare, nuk nënkupton sulm ndaj lirisë së mediave.

Përmes një postimi në Twitter, Kurti ka thënë se liria e mediave është jetike dhe sulmi ndaj tyre përbën sulm ndaj demokracisë.

Reagimi i tij ka ardhur një ditë pasi Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e ka konfirmuar pezullimin e licencës së biznesit të televizionit Klan Kosova.

Kosova i ka 468 biznese të regjistruara, aktiviteti kryesor i të cilave është media, dhe 114 kompani të licencuara audio-vizuele. Zbatimi i rregullave të regjistrimit është detyrë ligjore, ‘jo teknikalitet’. Dhe zbatimi i rregullave të tilla kundër një shkelësi të vetëm nuk e kërcënon pluralizmin medial”-shkruan Kryeministri.

Kurti ka thënë se në vendet demokratike, institucionet e autorizuara për t’i trajtuar këto raste nuk janë pjesë e Zyrës së Kryeministrit, por që ato e kanë përkrahjen e plotë të ekzekutivit.

Në demokraci, organet e autorizuara për të vendosur për raste të tilla nuk qëndrojnë në Zyrën e Kryeministrit. Megjithatë, këto organe kanë mbështetjen e plotë të Zyrës sonë në kryerjen e detyrave të tyre, përballë interesave të fuqishme të biznesmenëve të pasur të rreshtuar kundër tyre.

Liritë e medias janë jetike: një sulm ndaj tyre është një sulm ndaj demokracisë. Por demokracia gjithashtu sulmohet kur biznesmenë të fuqishëm shkelin ligjin për përfitime financiare. Dhe zbatimi i ligjit kundër shkeljeve të njerëzve të tillë – në asnjë mënyrë – nuk përbën një sulm ndaj lirisë së medias”-shkruan Kurti.