Vendosni fjalën kyçe....

Operacioni ‘Metamorfoza”/ Rithemelimi: Dështoi në masën 60 %, nga 15 urdhërarreste janë ekzekutuar 6


Grupi i Rithemelimit ka reaguar nëpërmjet një deklarate se përsa i takon 6 të arrestuarve gjatë operacionit “Metamofoza” dhe dy të tjerë të kapur në kushtet e flagrancës për armëmbajtje pa leje.

Deklarata thekson se operacioni ‘Metamorfoza’ dështoi, së paku në masën 60%, mbasi nga 15 mandate janë arrestuar gjithsej 4-6 persona, kurse më së paku 9 apo 11 të tjerë u njoftuan dhe morën arratinë, njëlloj si Arben Ahmetaj.

Më tej akuzohet edhe ministri i ri i Brendshëm Taulant Balla si përfaqësues i klaneve të drogës në disa qytete.

 

DEKLARATA E PLOTË

Partia Demokratike shpreh edhe njëherë mirënjohjen e thellë për Eurojust, Europol, organet ligjzbatuese të Mbretërisë së Belgjikës, Francës dhe Mbretërisë së Holandës, për ndihmën substanciale në luftën kundër kriminalitetit në Shqipëri, por edhe gjithë atyre zyrtarëve shqiptarë të organeve ligjzbatuese që, me guxim duan të zbatojnë ligjet e vendit dhe të bëjnë jetën tonë dhe Shqipërinë një vend të sigurt.

Partia Demokratike thekson sërish se operacioni i koduar me emrin ‘Metamarofoza’, i bazuar kryekëput në dokumentacionin e sjellë nga partnerët tanë, dëshmon edhe njëherë se shteti shqiptar është shtet i krimit dhe drogës.

Kjo provohet më së pari me faktin që 15 mandatet e arrestit të dosjes ‘Metamorfoza’ të 15 kriminelëve të rrezikshëm, flinin, konservoheshin në dosjet e dërguara nga partneret prej kohësh. Ata, me urdhër të “kreut të Meduzës” nuk u prekën, vetëm e vetëm për shkak të misionit kriminal elektoral që personazhet e krimit kishin marrë nga Edi Rama, Taulant Balla, Damian Gjiknuri, Elisa Spiropali, Belinda Balluku, Ulsi Manja, Niko Peleshi, Mirela Kumbaro etj. Këta kriminelë elektoralë në krye të pushtetit të mafies, përdorën vrasësit, trafikantët, pengmarrësit, bajlozët e zinj të operacionit ‘Metamorfoza’, dhe dosjeve të tjera, si pushtues të qyteteve, të cilët diktonin me qytën e revoles dhe thasët e drogës, vullnetin e qytetarëve të pambrojtur shqiptarë.

Trafikantët, vrasësit, pengmarrësit, përdhunuesit e dosjes ‘Metamorfoza’, dhe shumë të tjerë, që ishin të lirë, u nxorën nga burgu, apo u sollën nga jashtë dhe që u mbrojtën nga mandate ndërkombëtare të arrestit, përbënin krahun e armatosur të fushatës elektorale në Shkodër, Lezhë, Kurbin, Peshkopi, Durrës, Tiranë, Elbasan, Berat, Sarandë, Vlorë, Fier, Lushnjë. Ata ishin badigardët e qeveritarëve kriminelë elektoralë Edi Rama, Taulant Balla, Damian Gjiknuri, Elisa Spiropali, Belinda Balluku, Ulsi Manja, Niko Peleshi, Mirela Kumbaro etj. Në këtë mënyrë ‘SKAP-i i Partisë’ u shndërrua në organ elektoral të Partisë së Krimit.

Së dyti, operacioni ‘Metamorfoza’ dështoi, së paku në masën 60%, mbasi nga 15 mandate janë arrestuar gjithsej 4-6 persona, kurse më së paku 9 apo 11 të tjerë u njoftuan dhe morën arratinë, njëlloj si Arben Ahmetaj. Për të justifikuar këtë dështim kriminal, mafia shtetërore e dezinformimit iu tha shqiptarëve se ata prej shumë kohësh ndodheshin në mërgim.

Vetëkuptohet se Taulant Balla, përfaqësuesi me tipik i klaneve të drogës dhe krimit të Elbasanit, Fierit, Lushnjës, Krujës e Shkodrës, nuk mund inauguronte më mirë detyrën dhe të garantonte më shumë bandat që ai përfaqëson, sipas dëshmive në sallat e gjyqeve, regjistrimeve të brendshme dha atyre të kriptuara të jashtme- me bosët shqiptarë të krimit në Shqipëri dhe jashtë saj.

Partia Demokratike dënon me ashpërsinë më të madhe këto qëndrime kriminale të narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë, të Edi Ramës ndaj krimit të organizuar, rrezik madhor për sigurinë në Shqipëri, rajon dhe Europë, dhe garanton shqiptarët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë se, ZERO tolerancë ndaj krimit të organizuar, do të jetë motoja e saj.