Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Është rritur interesi i investitorëve të huaj, leku i fortë histori suksesi


Kryeministri Edi Rama nga Tepelena, ku përfundoi takimin me kabinetin qeveritar tha se imazhi i Shqipërisë në botë ka ndryshuar, ndërsa theksoi se është rritur interesi i investitorëve të huaj për të investuar në vendin tonë.

“Imazhi i Shqipërisë në botë është i përmbysur tërësisht derisa sa jo shumë vite më parë. Ajo që shohim nga brenda është rritja e interesit të investitorëve të huaj, nuk flasim për projekte të fokusuara vetëm në sektorin e energjisë, flasim për investitorë të mëdhenj në fushën e turizmit, teknologjisë të cilët deri para jo shumë vite më para s’do e konsideronin Shqipërinë si një mundësi për të zgjeruar biznesin e tyre”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama foli edhe për rënien e euros dhe forcimin e lekut, ku tha se ka pasur debat me një përfaqësues të sektorit të prodhimit dhe sipas tij, leku i fortë është një histori suksesi.

“Kam pasur një debat para pak ditësh me një prej përfaqësuesve të sektorit të prodhimit. Ne e dimë shumë mirë që në sektorin e prodhimit dhe të eksporteve ka pasur një stres jo të vogël për shkak të forcimit të lekut dhe rënies së euros në raport me lekun, por kjo… dhe kemi pasur një konsultë të gjerë me disa ndër ekspertët më të mirë ndërkombëtarë. Mos harroni që këshilltari im për ekonominë është këshilltari i kancelares Merkel. Është një histori suksesi, është një histori suksesi. Një lek i fortë në këtë moment dhe në këtë kohë kur një lek i dobët do të na kishte sjellë një dhimbje koke katastrofike është një histori suksesi. Por nga ana tjetër duhet kuptuar që është dhe një kambanë e fortë alarmi për sektorin fason. Duhet shkuar drejt ciklit të mbyllur.

Ky stres jam i bindur që do nxisë një pjesë prej tyre të vrapojnë drejt ciklit të mbyllur siç kanë bërë disa të tjerë”, tha Rama.