Vendosni fjalën kyçe....

Ndryshimi i strategjisë së NATO-s


NATO po harton plane të reja për të mbrojtur Europën, shkruan The Economist

Kur boksierin Mike Tyson e pyetën përpara një ndeshjeje nëse ishte i shqetësuar për planin e një kundërshtari, ai u përgjigj troç: “Të gjithë kanë një plan derisa goditen me grusht në gojë”.

Me NATO-n ka qenë e kundërta. Për 42 vjet, aleanca është përgatitur për luftë konvencionale dhe bërthamore me Bashkimin Sovjetik dhe aleatët e tij. Në vitin 1991, Pakti i Varshavës u shpërbë dhe planet u flakën tutje. Tani pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka nxjerrë në pah nevojën për strategji të reja.

Së fundmi, udhëheqësit e vendeve të NATO-s u mblodhën në Vilnius, kryeqytetin e Lituanisë, për Samitin vjetor të NATO-s. Ata diskutuan planet e para gjithëpërfshirëse të mbrojtjes së aleancës, që nga koha e Luftës së Ftohtë.

“Ky është ndryshimi më dramatik… që nga rënia e Murit të Berlinit”, thotë Matthew Van Wagenen, gjeneral amerikan në Shtabin Suprem të Fuqive Aleate në Europë (SHAPE). Pyetja është nëse aleatët mund të përmbushin ambiciet e tyre.

Ka shumë gjëra në lojë. Jens Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s do të qëndrojë në post edhe për një vit (aleatët nuk mund të pajtohen për një kandidat që do ta zëvendësonte).

Ukraina dëshiron një ftesë për t’u bashkuar me aleancën pas luftës; ndërkohë ajo pret garanci të hollësishme dhe thelbësore të ndihmës afatgjatë.

Aleatët pajtohen se Kina ka ndikim gjithnjë e më të madh në sigurinë europiane, edhe përmes thellimit të marrëdhënieve të saj me Rusinë, por ka dalë një mosmarrëveshje mbi hapjen e një zyre të NATO-s në Tokio, që e ka ndarë aleancën mbi mënyrën se si duhet të sillet ndaj Kinës.

Pavarësisht gjithë këtyre, çështja më e rëndësishme është rishikimi i planifikuar i makinerisë ushtarake të NATO-s. Arkitekti i reformave të mbrojtjes është Chris Cavoli, një gjeneral amerikan që shërben si Komandant Suprem i Aleatëve në Europë (SACEUR).

Postin e tij e ka mbajtur më parë Dwight Eisenhower, globi i të cilit qëndron ende në zyrën e gjeneralit Cavoli, në qytetin belg Mons. Gjenerali Cavoli, një folës i rrjedhshëm i rusishtes, i arsimuar në Princeton dhe Yale, konsiderohet gjerësisht si një nga oficerët më të mëdhenj të brezit të tij. Planet e tij shkojnë deri në 4000 faqe (të klasifikuara).

Pjesa thelbësore është një treshe planesh rajonale: një për veriun, që mbulon Arktikun atlantik dhe europian; një për pjesën qendrore, që përfshin Baltikun dhe Europën Qendrore deri në Alpe; dhe një plan jugor për Mesdheun dhe Detin e Zi. Ka edhe nënplane për hapësirën, operacionet kibernetike dhe forcat speciale.

Rusia është fokusi kryesor, por plani për jugun, me këmbënguljen e Turqisë, e ka ndarë vëmendjen në mënyrë të barabartë midis kërcënimit nga Rusia dhe grupeve terroriste.

Qëllimi i parë dhe më i rëndësishëm i dokumenteve është parandalimi. “Çelësi për planet e luftës së NATO-s ka qenë gjithmonë fakti se Moska e di se ka plane luftarake të NATO-s”, thotë Tim Sayle, historian i aleancës në Universitetin e Torontos.

Përveç kësaj, planet gjithashtu ofrojnë udhëzime të qarta për çdo forcë të armatosur në Europë dhe Amerikën e Veriut, se si të veprojnë nëse shpërthen konflikti.

“Si një nëntoger i ri, e dija saktësisht se në cilin qytet do të shkonte bateria ime e artilerisë”, thotë gjenerali Darryl Williams, komandanti i ushtrisë amerikane në Europë, duke reflektuar mbi zhvendosjen e tij në Gjermaninë Perëndimore në vitin 1983. “Shpresojmë që së shpejti, do të kemi me këtë situatë, të njëjtën lloj qartësie si atëherë”.

Këtë vit, gjenerali Cavoli do t’i caktojë role të veçanta çdo shteti ose pjese të frontit. Batalionet dhe brigadat e dinë paraprakisht zonën për të cilën do të jenë përgjegjës, qoftë ky një ishull norvegjez, apo një pjesë e Karpateve.

Misioni ushtarak

Sigurisht që caktimi i detyrës nuk është e njëjta gjë si aftësia për ta kryer atë. Shpresohet se planet do të nxisin reforma dhe do të rrisin llogaridhënien

Gjatë Luftës së Ftohtë, SHAPE kishte një staf të madh që mund të vinte në provë vazhdimisht sa të gatshme ishin forcat kombëtare për luftim. Ky ekip u pakësua, por po rritet edhe një herë: “SACEUR tani po tregohet më i rreptë ndaj vendeve anëtare”, thotë një zyrtar europian.

Në Samitin e NATO-s të vitit të kaluar në Madrid, aleatët ranë dakord se do të mbanin kolektivisht mbi 100,000 trupa të gatshëm për t’u mobilizuar në më pak se dhjetë ditë, dhe 200,000 të tjera në gatishmëri brenda një muaji, një numër shumë më i lartë se më parë. Gjithashtu, tani aleatët do t’i “deklarojnë” gjeneralit Cavoli se cilat njësi janë në dispozicion në çdo kohë.

Në javët e fundit, Amerika, Gjermania dhe Britania kanë praktikuar se si mund t’i përshkallëzojnë shpejt batalionet e tyre në Poloni, Lituani dhe Estoni, për të formuar brigada. Italia ndoshta së shpejti do të kryejë një provë të ngjashme në Bullgari.

Qëllimi i kësaj është të sigurohen shtetet baltike dhe t’i tregohet Rusisë se këto ushtri janë mjaft të shkathëta për të përforcuar frontin lindor të NATO-s, më shpejt se sa mund të mobilizohet Rusia për një sulm.

Gjermania, Forcat e Armatosura të së cilës kanë qenë në një gjendje të dobët gjatë dekadës së fundit, këtë muaj, premtoi se do të vendoste një brigadë të tërë në tokën lituaneze, një angazhim historik. Stërvitjet e NATO-s po bëhen gjithashtu më kërkuese: ato janë “pak a shumë prova ushtarake”, thotë një zyrtar. Prova më e madhe në dekada, me emrin Jupiter, do të kryhet më vonë këtë vit.

Planet e reja të NATO-s, jo vetëm që do të shkathtësojnë ushtritë, por gjithashtu do të përcaktojnë prioritetet për prokurimet dhe investimet. Mbrojtja kolektive e kontinentit kërkon një armatim të rëndë: avionë, tanke dhe artileri.

Por pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, për vite me radhë, aleatët po luftonin luftëra guerile në Afganistan dhe Irak, që kërkonin lloje disi të ndryshme pajisjesh: automjete të qëndrueshme ndaj minave, helikopterë transporti dhe këmbësori të lehtë.

NATO nuk vendoste asnjë disiplinë në lidhje me armët që blinin anëtarët e tij: “Ne nuk kemi pasur kërkesa të njëmendta ndaj kombeve, që janë zbatuar vërtet gjatë 30 viteve të fundit”, thotë gjenerali Van Wagenen.

Qëllimi tani është që të vendosim sërish në linjë kërkesën dhe ofertën, nëpërmjet një mekanizmi të njohur si “kërkesa e strukturës së forcës”, që në thelb është lista e gjeneralit Cavoli mbi atë çfarë nevojitet në mënyrë që strategjia e tij ushtarake të funksionojë siç është parashikuar.

Prioritetet

Një person i rëndësishëm brenda NATO-s tregon për pesë prioritetet e menjëhershme: forca tokësore të afta për luftim, veçanërisht brigada të blinduara të rënda; sisteme të integruara të mbrojtjes ajrore dhe raketore, të afta për të mbrojtur njësitë në lëvizje; fuqi zjarri me rreze të gjatë si artileri dhe raketahedhëse; rrjete dixhitale që lejojnë të dhënat të lëvizin në fushëbetejë dhe të kthehen në seli, në mënyrë të shpejtë dhe të sigurt; dhe logjistikë për të mobilizuar ushtri të mëdha në të gjithë Europën, duke i mbajtur ato të furnizuara siç duhet.

Kjo listë pasqyron kryesisht nevojat që janë dalluar gjatë vëzhgimit të luftës në Ukrainë: artileria e modës së vjetër ka shkaktuar shumicën e viktimave; manovrimi pa armaturë ka rezultuar jashtëzakonisht i kushtueshëm.

Problemi është se shumica e ushtrive europiane nuk kanë rezultate të mira në këta tregues (me përjashtim të disa rasteve të përsosura, siç është ushtria e rekrutëve e pasur me artileri e Finlandës).

Një punim i botuar nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS), një institut kërkimor në Londër, arrin në përfundimin se numri i batalioneve luftarake në disa prej ushtrive më të mëdha të NATO-s, ndryshoi fare pak midis viteve 2015 dhe 2023, pavarësisht nga kërcënimi më i madh nga Rusia. Franca dhe Gjermania kanë shtuar secila forca me vlerën e një batalioni, një sasi mjaft e vogël.

Edhe Polonia ka shtuar vetëm dy, ndërsa Britania ka humbur forca sa vlera e pesë batalioneve gjatë kësaj periudhe.

Shumica e kombeve tani mund të mobilizojnë vetëm një brigadë me fuqi të plotë”, ankohet një gjeneral i lartë i NATO-s. Ky është një numër që do të tmerronte çdo gjeneral të Luftës së Ftohtë.

E njëjta gjë vlen edhe për forcat detare. Komandanti Carsten Fjord-Larsen i marinës daneze ankohet se në vitin 2002, marina e tij kishte 34 njësi luftarake. Shifra tani është ulur në pesë.

Rezerva e municioneve është një problem serioz. Britania “ndoshta nuk ka një rezervë të mjaftueshme brigade për të luftuar një luftë intensive”, thotë Ben Barry, brigadier i dalë në pension.

Gjeneralët e tjerë britanikë janë dakord me këtë mendim. Ofensiva e Ukrainës e ndërlikon problemin: çdo dhjetë ditë, ai vend djeg po aq predha sa prodhon Amerika në një muaj. Shteteve u duhet të zgjedhin midis furnizimit të Ukrainës dhe ruajtjes së rezervave të veta.

Kompleti i duhur

Ka edhe mangësi të tjera. NATO ka rreth dhjetë seli me trupa ushtarake, por shumicës i mungojnë brigada të artilerisë, mbrojtjes ajrore dhe helikopterëve, për të mbështetur divizionet nën komandën e tyre, thotë zoti Barry. “Komandanti i korpusit nuk ka trupa që mund të përdorë për të kryer një betejë të thellë”.

Llogaritje të tilla nxjerrin në pah varësinë e Europës nga Amerika. Pentagoni ka pozicionuar trupa të barasvlefshme me 22 batalione në Europë, kryesisht nën Korpusin V në Poloni.

Ky numër është rritur nga gjashtë në vitin 2015; dhe është afërsisht i njëjti numër trupash që ka gjithsej Britania. A do të vazhdojë Amerika t’i mbajë këto trupa në Europë?

“E vërteta e hidhur për Europën është se numri kaq i madh i trupave ushtarake të pozicionuara në kontinent, është kryesisht falë përforcimeve që u bënë vitin e kaluar”, thotë zoti Barry.

“Por drejtimi i përgjithshëm i udhëtimit të mobilizimeve tona ushtarake është larg nga Europa dhe drejt Indo-Paqësorit”. Nëse një krizë do të shpërthente në Tajvan, Europa mund ta gjente veten të cenuar në mënyrë shqetësuese.

E megjithatë, planet e reja e afrojnë Amerikën dhe Europën në mënyra të rëndësishme. “Jo shumë njerëz e kuptojnë me të vërtetë këtë”, thotë një përgjegjës në NATO, “por Amerika po kthehet në sistemin e planifikimit të vjetër të NATO-s”.

Për 20 vitet e fundit, thotë ai, Komanda Europiane dhe e Shteteve të Bashkuara (EUCOM) në Stuttgart në Gjermani, pra komanda ushtarake e Amerikës për kontinentin, e ka ruajtur madhësinë e saj, duke hartuar plane për mbrojtjen, në një kohë kur forcat e armatosura europiane po bënin pak planifikime të hollësishme. Planet e reja të NATO-s janë në përputhje me të menduarit amerikan.

Në shumë mënyra, ato janë produkte të tij (Gjeneral Cavoli është komandant i Eucom-it dhe NATO-s). Kjo tregon se Amerika po rikthehet, pavarësisht shqetësimeve politike rreth rizgjedhjes së mundshme të Donald Trump vitin e ardhshëm.

Reformat më të gjera që po kryhen në strukturën komanduese të NATO-s ilustrojnë dinamika të ngjashme. Vetë selia e SHAPE po transformohet, thotë gjenerali Van Wagenen: kati i dytë është ndryshuar për të vendosur një qendër të re operacionale.

Një komandë e re tokësore për të trajtuar operacionet e NATO-s në veri të Alpeve mund të ishte organizuar nga Polonia ose Gjermania, të dyja të interesuara për këtë punë; por këtë detyrë po e merr përsipër ushtria amerikane. Komanda e re do të jetë në selinë e gjeneralit Williams në Wiesbaden.

Në mënyrë paradoksale, duke pasur parasysh frikën e braktisjes nga Amerika, disa europianë janë të lumtur që gjeneralët amerikanë po marrin më tepër përgjegjësi. “Po”, thotë një zyrtar i lartë, “ata po marrin drejtimin sepse kanë ndër mend të luftojnë këtu: ky është një lajm mjaft i mirë nëse je europian”.

Hartat dhe makineritë

Reformat e reja janë ndikuar thellësisht nga mënyra se si anëtarësimi i aleancës ka ndryshuar gjatë 30 viteve të fundit. Në vitin 1989, para rënies së Murit të Berlinit, kufiri i NATO-s me Paktin e Varshavës ishte në thelb kufiri i brendshëm gjerman – 1380 km i gjatë, pothuajse i gjithi i militarizuar rëndë – plus një zonë e vogël në Norvegjinë Veriore.

Deri në vitin 2004, kur shtetet baltike u bashkuan me NATO-n, kufiri i tij me Rusinë ishte vetëm 800 km i gjatë. Por kur Finlanda u bashkua më 4 prill të këtij viti, ai u dyfishua (shih hartën). Harta e gjeneralit Cavoli shtrihet nga ngrica e Arktikut, deri tek nxehtësia përvëluese e Anadollit.

 

Në vitin 1989 “të gjithë kishin pozicione fikse”, thotë gjenerali Van Wagenen. Ushtritë ishin më të mëdha dhe trupat ishin të dendur përgjatë vijave të frontit.

Tani ushtritë më të vogla janë shtrirë në një front shumë më të madh. “Duhet të kesh forca më të shkathëta”, thotë gjenerali

“Një sistem i ri alarmi synon të mprehë makinerinë e inteligjencës së NATO-s, në mënyrë që elementet e planeve të reja të mund të aktivizohen me shpejtësi, në përgjigje të shenjave të hershme të telasheve, siç janë lëvizjet e trupave ruse.

Pranimi i Finlandës sjell gjithashtu mundësi të reja. Ushtria e saj shumë profesionale dhe e pajisur mirë, mund të mobilizojë shpejt një numër të madh rekrutësh, dhe ka të ngjarë të rrisë standardet në aleancë, thotë një zyrtar.

Anëtarësimi i Finlandës “e plotëson shumë mirë gjeografinë nordike dhe baltike”, thotë një tjetër, sepse rruga e manovrimit për Rusinë që kalon nga Gjiri i Finlandës drejt Detit Baltik, është kufizuar gjithnjë e më shumë nga shtetet e NATO-s (dhe do të kufizohet edhe më tepër nëse anëtarësohet edhe Suedia).

“Kjo paraqet shumë më tepër sfida për Rusinë sesa për NATO-n”, shton zyrtari. Në mars, avionët amerikanë të zbulimit filluan të fluturojnë mbi Finlandë, diçka që do të kishte qenë e çuditshme 18 muaj më parë.

 

Nëse NATO ka një axhendë ambicioze, pyetja më e madhe është se si mund ta përballojë atë. “Ne jemi kampionë në shpalljen e gjërave”, thotë një komandant gjerman i NATO-s, “jo në zbatimin e tyre”

Në një samit në Uells në vitin 2014, pas pushtimit të parë të Ukrainës nga Rusia, aleatët premtuan të “lëvizin drejt” objektivit të NATO-s për të shpenzuar 2% të PBB-së deri në vitin 2024. Asokohe, vetëm tre aleatë e arritën objektivin. Tani këtë e arrijnë shtatë (shih grafikun).

Gjermania do ta arrijë vitin e ardhshëm, Franca në vitin 2025. Por shumica mbeten shumë mbrapa. Në Vilnius, aleatët pritet të vendosin një zotim të ri për investime në mbrojtje.

Objektivi prej 2% mund të bëhet një dysheme, në vend të një objektivi. Kjo ide pëlqehet nga aleatët lindorë, si Polonia, e cila mund të shpenzojë 4% të PBB-së për mbrojtjen këtë vit dhe Estonia, e cila thotë se do të arrijë në 3%. Por ngritja e objektivit vetëm sa do të nxirrte në pah hendekun që tashmë ekziston midis shpresave dhe realitetit.

Ben Wallace, sekretari i Mbrojtjes i Britanisë, thotë se disa vende “me të vërtetë nuk duan të arrijnë nivelin 2%”. Kanadaja është shembulli më i njohur dhe të tjerët mund ta arrijnë pragun 2% të PBB-së, por nuk do të jenë në gjendje ta vazhdojnë atë për shumë kohë. “Në disa drejtime, kemi pasur zmbrapsje”, paralajmëron ai

“Në terma realë, Europa investon më pak në mbrojtje tani, sesa në vitin 2021”, ankohet Kusti Salm, nëpunësi më i lartë civil në Ministrinë e Mbrojtjes të Estonisë.

Planet e reja të NATO-s do t’u japin shefave të ushtrisë kombëtare dhe ministrave të Mbrojtjes më shumë ndikim në ministritë e financave: dështimi për të përmbushur objektivin e shpenzimeve nuk do të jetë më vetëm një burim turpi në çdo samit vjetor, por mund të lërë gjithashtu një boshllëk në planet e luftës së kontinentit.

“Kjo ndryshon të gjithë diskutimin rreth shpenzimeve të mbrojtjes”, thotë zoti Sayle, “ose të paktën kështu ndodhi në Luftën e Ftohtë”.

Pushtimi rus i Ukrainës ka hedhur gjithashtu dyshime nëse kërcënimi që Rusia paraqet për anëtarët e NATO-s është aq i madh sa ç’mendohej më parë. Forcat e armatosura të Rusisë kanë qenë më pak të afta nga sa prisnin shumica e ekspertëve dhe zyrtarëve.

Ushtria e saj ka pasur ndoshta 60,000 burra të vrarë, duke përfshirë shumë nga burrat dhe oficerët më profesionistë.

Sasi të mëdha pajisjesh janë shkatërruar, duke përfshirë mbi 1300 tanke. Disa gjeneralë europianë mendojnë se kjo heq trysninë mbi NATO-n: ata mendojnë se Rusisë do t’i duhet një dekadë për t’u rindërtuar.

Ariu rus dhe plagët e tij

Gjenerali Cavoli e kundërshton këtë ide. Në prill, ai i tha Kongresit Amerikan se ushtria ruse, edhe pse “e degjeneruar disi”, ishte më e madhe se në fillim të luftës.

Forcat ajrore të Rusisë ishin kryesisht të paprekura, tha ai, me mbi 1000 luftëtarë dhe bombardues, po ashtu edhe marina. Forca nëndetëse ruse mbetet një shqetësim i veçantë.

Kjo nuk është thjesht një pikëpamje amerikane. Rusia po zhvillon “aftësi të frikshme nënujore”, paralajmëron një oficer i marinës gjermane, duke vënë në dukje kërcënimet ndaj infrastrukturës nënujore si tubacionet dhe kabllot.

“Ata janë shumë përpara NATO-s në këtë”. Një komandant në terren estonez vëren se, në çdo nivel komandimi, “oficerët rusë po fitojnë përvojë që ne nuk e kemi”.

Vlerësimet e vetë NATO-s tregojnë se Rusia mund të rindërtojë forcat e saj brenda tre deri në shtatë vjetësh.

Kjo është kohë më e shkurtër se ajo që do të nevojitet për të rikapitalizuar dhe për të ripajisur Forcat e Armatosura të zbrazura të Europës; për të rindërtuar industritë e mbrojtjes që të përmbushin kërkesat për predha dhe armë; dhe për të ringjallur aftësitë ushtarake të kohës së Luftës së Ftohtë, si kalimet e lumenjve dhe komanda në nivel divizioni. Aleatët lindorë nuk mendojnë se Rusia do të qëndrojë duarkryq.

Dhe e ardhmja e Ukrainës nuk është aspak e sigurt; kundërsulmi i saj deri tani ka ecur më ngadalë se sa ishte planifikuar. “Ky muaj në vitin 2023”, thotë zoti Salm, “është momenti më vendimtar për brezin tonë”.

VINI RE. Ky material është përgatitur nga Revista Monitor