Vendosni fjalën kyçe....

Nikolla reagon për ngjarjen në Hamallaj: Veprimi i efektivit i dënueshëm, organet e drejtësisë të zbardhin sa më shpejt ngjarjen


Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla ka bërë një reagim për ngjarjen e ndodhur sot në Hamallaj, ku e quajti të dënueshëm veprimin e punonjësit të Gardës së Republikës dhe shoqëruesit të saj Martin Nikolli, i cili u përfshi  në një sherr masiv, pas konfliktit për rrugën midis dy familjeve. ku përdori edhe armën e shërbimit duke qëlluar në ajër. 

Nikolla inkurajon organet e drejtësisë për zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes dhe dënimin e kujtdo që ka gisht në këtë rast flagrant, si edhe solidarizohet me familjen Kaçi për këtë rast.

Pas ngjarjes, efektivi Nikolli u përjashtua nga detyra me urdhër të ministrit të Brendshëm Taulant Balla.

 

Reagimi i Nikollës:

Ngjarja e ndodhur sot në Hamallaj, ku është përfshirë efektivi i Gardës  së Republikës (që nga viti 2006) Martin Nikolli është e dënueshme.

Dëshiroj të përshëndes Policinë e Shtetit për ndalimin e menjëhershëm të personit në fjalë dhe të inkurajoj organet e drejtësisë për zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes dhe dënimin e kujtdo që ka gisht në këtë rast flagrant, pavarësisht pozicionit ku ka shërbyer deri më sot.

Në të njëjtën kohë, solidarizohem plotësisht me familjen Kaçi dhe i siguroj se institucionet e Republikës janë të angazhuara dhe në krye të detyrës për t’i ofruar të gjithë mbrojtjen që parashikon ligji.