Dhjetëra gazetarë kanë dalë sot në protestë në Prishtinë, për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj një vendimi të autoriteteve të Kosovës, i cili mund të çojë në mbylljen e televizionit kombëtar privat, Klan Kosova.
Vendimi konsiderohet i padrejtë dhe i rrezikshëm për lirinë e medias në Kosovë. Protestës i është bashkuar dhe shoqëria civile, e cila kërkon nga Albin Kurti të tërhiqet nga ky vendim skandaloz. Një prej gazetarëve, Pranvera Behluli thotë se kanë protestuar për t’i treguar qeverisë së Kosovës se nuk mund ta mbyllin një media. Slogani i protestuesve ishte “Demokracia vdes në errësirë”.
“Sot kemi protestuar me qëllimin e vetëm për t’i dërguar një sinjal Qeverisë së Kosovës se nuk do mund ta mbyllin një medium në Kosovë, ngase kjo që po ndodh është e paprecedentë që nga pas lufta e këtej. Mesazhi ynë ka qenë i qartë, s’do mund ta ndalin lirinë e shprehjes në Kosovë”, tha një gazetare.
Çështja e Klan Kosovës nisi muajin e kaluar kur Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ngriti kallëzim penal ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA”, me “pretendimin se në certifikatën biznesit te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”, duke shtuar se “nuk lejohet regjistrimi i një biznesi ku vendbanimi është në kundërshtim me parimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pasi që në bazë të këtij dokumenti vërtetohet se qyteti i Pejës dhe Gjakovës është nën administrimin e Republikës së Serbisë”.
Ndonëse kompania tha se ka bërë ndryshimet, Komisioni i Ankesave, sipas ministrisë, ka “gjetur përpjekje të vonuara të palës për t’i korrigjuar shkeljet e saj ndër vite, të cilat ende nuk kanë shkuar deri në fund”.
Klan Kosova e cilësoi të padrejtë pretendimin e Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave lidhur me dokumentet e regjistrimit të kompanisë pronare të televizionit.