Vendosni fjalën kyçe....

Nallbati: Basha premtoi se PD do merrte pushtet pas zgjedhjeve


Deputeti i Partisë Demokratike Bledion Nallbati në një intervistë për gazetaren Elona Meço në emisionin “Pa Censurë” në RTSH foli për situatën në PD-në zyrtare, përplasjen mes grupit parlamentar dhe Lulzim Bashën si dhe premtimin e këtij të fundit se PD-ja do merrte pushtet pas zgjedhjeve duke ngritur indiciet për një bashkëqeverisje me Edi Ramën.

Grupimi i PD, i drejtuar nga Sekretari i Përgjithshëm dhe Kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, nuk e njeh procesin që zgjodhi Lulzim Bashën në krye të partisë për një mandat të katërt, theksoi deputeti i Korçës, Bledion Nallbati.

Grupi Parlamentar nuk njeh Bashën kryetar

Nallbati i cili u angazhua me mbledhjen e 254 firmave për Këshillin Kombëtar që anuloi zgjedhjet, është i qartë në qëndrimin e mbajtur.

Nuk ka zgjedhje në PD. Ka patur mbledhje te Këshillit Kombëtar që ka vendosur që në PD të mos ketë zgjedhje në 29 Korrik. Kur nuk ka zgjedhje, nuk ka kryetar. Lulzim Basha mund të pretendojë se është dhe President i SHBA, por nuk është.”- tha Nallbati.

Premtimi i Bashës për pushtet

Ai përmend për herë të parë dhe disa premtime që u janë bërë demokratëve gjatë fushatës së  Bashës.

Pas zgjedhjes të zotit Basha, mbështetësve të tij u është thënë që “PD bëhet më e fortë dhe merr pushtet”. Disave u është thënë “marrim vendet që na takojnë në opozitë, se opozitës i takojnë 40 mijë vende pune”.  Këto u janë thënë nga drejtimi i partisë, nga zoti Basha dhe mbështetësit e vet.”- theksoi Bledion Nallbati.

Deputeti demokrat mbron me forcë tezën se PD nuk mund të bëhet e fortë, nuk mund të përballet me qeverinë duke qenë e ndarë.

Megjithatë, Nallbati kujdeset të rrëzojë atë që e quan alibi të grupit Basha se me përpjekjet për të mos njohur ligjërisht procesin zgjedhor të Bashës, PD po i dorëzohet Sali Berishës.

Është alibi për të justifikuar atë që janë duke bërë. Është grupi parlamentar ai që sot e ka mbajtur gjallë këtë parti. Nëse do të ishte dorëzuar grupi, do të kishe sot PD? E mbajti kryesia PD-në, nëse do të ishte dorëzuar kryesia? Ne as e kemi çuar, as kemi ndërmend ta çojmë tek Sali Berisha. Por ne nuk kemi synim të zvogëlojmë PD, siç bëri pjesa tjetër me një të rënë të lapsit, nga 75 mijë anëtarë e çoi në 25 mijë. Duke përjashtuar njerëz, nuk mund të rritesh.”- u shpreh deputeti Bledion Nallbati.

PD sërish në gjykatë

Partia Demokratike zyrtare është sërish në një moment delikat në lidhje me përfaqësimin ligjor të saj. Dhe mesa duket, zgjedhja e Lulzim Bashës kryetar në një proces të anulluar nga Këshilli Kombëtar qe nuk njihet nga zoti Basha, do të çojë PD në një tjetër proces gjyqësor.

Deputeti demokrat Bledion Nallbati, i ngarkuar për të ndjekur procedurat në gjykatë, tregoi rrugën ligjore që do të ndiqet nga grupimi i tyre.

“Fakti që ata (grupi i zotit Basha) nuk e njohin vendimin legjitim të Këshillit Kombëtar, do të thotë që do të shkojmë në gjykatë, siç ka ndodhur. Ne kemi depozituar në gjykatë vendimet e Këshillit Kombëtar dhe gjykata duhet të regjistrojë ndryshimet e bëra sipas vendimit të Këshillit Kombëtar. Pra, që nuk ka zgjedhje në PD.”- tha zot Nallbati, i cili iu përgjigj edhe pyetjes nëse gjykata e merr apo jo parasysh vendimin e Këshillit Kombëtar për të anulluar procesin e zgjedhjes së zotit Basha.

Zoti Basha ka mbledhur 174 anëtarë të Këshillit Kombëtar, që nuk janë më shumë sesa gjysma e Këshillit Kombëtar, siç e kërkon statuti: Një mbledhje pa kuorum nuk është mbledhje. Vendimet në atë Këshill nuk ekzistojnë dhe këtë gjykata besoj e ka të qartë dhe s’e mohon dot. Nderkohë këtu janë 254 anëtarë dhe secili ka nënshkruar me vullnetin personal. Gjykata nuk mund të thotë se ky vendim nuk ekziston. Nuk e di kur e merr këtë vendim gjykata, pasi partia është në një proces tjetër gjyqësor. Duhet të zgjidhet ai proces, që t’i vijë radha këtij procesi tani.”- u shpreh deputeti Bledion Nallbati,

Ai tregoi edhe synimin e grupimit të drejtuar nga Gazment Bardhi për mënyrën e përfaqësimit të PD.

Grupi parlamentar do të nisë një proces konsultimi me të gjithë anëtarësinë, pa asnjë dallim, për të vendosur sesi të procedohet  me partinë në të ardhmen. Ky proces do të nisë së shpejti” – tha zoti Nallbati.

Ai konfirmoi se grupi i drejtuar nga Gazment Bardhi aktualisht ka 15 deputetë, ndërsa grupimi i zotit Basha është me 10 deputetë.

Kush financoi për fushatën e Bashës?

Deputeti i PD, Bledion Nallbati ngriti dyshime për financimin e panjohur të fushatës për zgjedhjen e Lulzim Bashes në krye të PD.

Nallbati pohoi se Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi, i cili ka të drejtë firme për veprimet bankare të partisë, nuk ka firmosur për mbulimin e shpenzimeve të fushatës nga partia.

Në dijeninë time, nuk janë përdorur para të PD për atë proces. Duhet të pyesni organizatorët se ku i kanë gjetur.”- tha Bledion Nallbati.

Deputeti i qarkut të Korçës, kundërshtoi procesin e zgjedhjes së Bashës në krye të PD zyrtare, dhe e e e përshkroi Bashën me mungesë sinqeriteti me demokratët.

Ne nuk kemi qenë kundër procesit të zgjedhjes, por mënyrës sesi u bë, pasi PD e ka të shkatërruar strukturën e saj. Ne duam një proces që të nisë nga poshtë-lart. PD ka 10 vjet që humbet dhe nuk duhet humbur më kohë me përçarje. Ajo që mund të them tani është se Basha ishte me një skenar të fshehur për t’u rikthyer. Por ka një vendim të kolegjit zgjedhor që përcakton se zoti Basha nuk është më kryetar i PD dhe prandaj ne çuam në gjykatë për çrregjistrimin e zotit Basha edhe këtë vendim të Kolegjit zgjedhor”- u shpreh Bledion Nallbati.

Lëvizje për unifikimin e deputetëve të opozitës në parlament dhe mohimi për bashkim me Berishën.

Grupi parlamentar i drejtuar nga Gazment Bardhi synon që në shtator të unifikojë qëndrimin opozitar në parlament.

Deputeti Nallbati shpjegoi lëvizjen e pritshme të shtatorit.

“Të ndarë nuk fiton askush. As zoti Berisha me grupin e tij, as ne me grupimin tonë, as pjesa që po krijohet tani me Bashën jo e jo. Prandaj, nga shtatori ne duhet të unifikojmë grupin parlamentar të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit. Fokusi ynë duhet të jetë qeveria dhe jo vetja. Lufta mes demokratëve duhet të ndalet. Duhet të ketë rakordim të aksionit opozitar në raport me qeverinë, pavarësisht se disa parime  na ndajnë edhe brenda nesh, por nuk na ndan qëllimi për luftë opozitare kundër qeverisë.“- Nallbati,

Ai bëri dhe një thirrje për Sali Berishën dhe Lulzim Bashën për mënyrën sesi duhet të zgjidhet konflikti në PD.

“Ka zgjidhje. Kjo vjen kur njerëzit që drejtojnë,  dalin mbi interesin e vet. Zoti Berisha dhe zoti Basha duhet të dalin mbi interesat e tyre personale.“- u shpreh deputeti demokrat Bledion Nallbati.