Vendosni fjalën kyçe....

Rehabilitimi i fasadave dhe termoizolimi i banesave në vend, FSHZH shpall fituesit e 12 milionë eurove


Në fillim të korrikut Fondi Shqiptar i Zhvillimit çeli të paktën katër procedura prokurimi që synonin rigjenerimin e stokut të banesave në vend si dhe përmirësimin e shtresave asfaltike me një fond limit mbi 21 milionë euro.

Tashmë për tre prej këtyre procedurave janë shpallur kompanitë fituese. Vetë FSHZH njoftoi se kontrata me objekt “Ndërhyrje rigjeneruese ne blloqet e banimit, rigjenerimi i stokut të banesave në Rajonin 1 dhe 2” me fond limit 575 milionë lekë është fituar nga “DION-AL” sh.p.k me një ofertë 432 milionë lekë pa TVSH.

Kontrata tjetër “Ndërhyrje rigjeneruese ne blloqet e banimit, rigjenerimi i stokut të banesave në Rajonin 3&4 po me fond limit 574 milionë lekë pa TVSH është fituar nga bashkimi i operatorëve “MODESTE” shpk “ARKONSTUDIO” me një ofertë 428 milionë lekë.

Ndërkohë procedura e tretë “Ndërhyrje për përmirësimin e shtresave asfaltike, Faza III, 2 Lote Rajonet 1 & 2” me fond limit 570 milionë lekë është fituar nga “BAMI HOLDING” sh.p.k., me një ofertë 415 milionë lekë.

Në total fondi limit për procedurat llogaritet në 1.7 miliardë lekë apo 16.3 milionë euro ndërkohë që ofertat fituese llogariten në 1.27 miliardë lekë apo 12 milionë euro. Në këtë rast ofertat përbejnë 74 për qind të fondit limit të prokuruar.

Kompanitë pas nënshkrimit të kontratave me fondin do të ketë të paktën 24 muaj kohë për të zbatuar projektet. Por çfarë synojnë këto?

Projektet e ndërhyrjeve në stokun e banesave

Sipas dokumenteve që shoqërojnë procedurën, Fondi sqaron se ndërhyrjet në banesa në katër rajone të vendit kanë për qëllim të rehabilitojnë banesat përmes aplikimit të sistemit kapot apo termoizolim për rritjen e eficiencës së energjisë.

Në rehabilitimin e fasadave, parashikohen gjithashtu ndërhyrje, për të siguruar estetikën e objektit dhe eliminimin e urave termike si: dritare, davanciale, parapet, ulluqe, kapuç parapeti.

“Proceset e rehabilitimit urban janë ndërhyrje me impakt të lartë në territor. Këto procese aplikohen në zonat urbane të cilat karakterizohen nga humbja e funksionalitetit ekzistues, në ato zona ku ka mungesë të infrastrukturës publike dhe mangësi në përmbushjen e standardeve urbane. Për këtë arsye, planifikohet realizimi i ndërhyrjeve që rikonceptojnë zonat urbane për të rikthyer standardet e projektimit të cilat bazohen në mirëqenien fizike dhe përtej.

Për të rritur cilësinë e jetës së komuniteteve që popullojnë zonat urbane shihen të nevojshme ndërhyrjet që kanë si qëllim rehabilitimin e blloqeve urbane në qytetet kryesore të vendit, për të krijuar një sistem të përmirësuar në të cilin zhvillohet jeta e banorëve të zonave. Ndërhyrjet rigjeneruese në blloqet e banimit, janë ambientet më të prekshme nga banorët e zonave për shkak se përbëjnë habitatin në të cilin zhvillohet jeta e përditshme” thuhet në sqarimin e përgjithshëm të projektit.

Ndërkohë sa i takon procedurës për ndërhyrje në infrastrukturë si dhe asaj të përmirësimit të shtresave asfaltike sipas relacionit teknik thuhet se kjo ka ardhur si efekt i shqetësimit të ngritur nga përfaqësuesit e Njësive të Vetëqeverisjes Vendore (NjVV), dhe FSHZH ka bërë thirrjen për evidentimin ne terren dhe projektimin të disa prej akseve rrugore, të cilat janë me problematikë për qarkullimin e automjeteve.

Verifikimi në terren do te behet kryesisht për akset rrugore, të cilat lidhin zona turistike dhe që kanë potencial për zhvillimin e ekonomisë, segmente rrugore ne zona urbane, kjo në përputhje dhe komplementare me programet e zhvillimit lokal dhe rajonal. Pas vlerësimit në terren të këtyre akseve rrugore do te përzgjidhen segmentet te cilat paraqesin dëmtime te shtresave rrugore, gjendja teknike e tyre është jashtë standardit dhe lëvizja e automjeteve bëhet me vështirësi si dhe konsiderohen akse me prioritet nga NjVV për t’u rehabilituar” thuhet në dokument.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor