Vendosni fjalën kyçe....

Tomorri: Sekuestrimi i inceneratorit, lëvizje e fortë e SPAK, duhen burgje të reja


Gazetari Klodian Tomorri e konsideroi një nga goditjet më të forta dhe me pasoja vendimin e SPAK për sekuestrimin e inceneratorit të Tiranës. Tomorri tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se sekuestroja ndalon gjakderdhjen financiare, pasi paratë tanimë do të administrohen nga administratori publik.

Gazetari thotë se afera do sjellë tronditje të qeverisë, duke u shprehur se qeveria duhet të mendojë buxhetin për ndërtimin e burgjeve të reja, pasi nuk do ketë më vende pas hetimeve.

“Është një nga ato që quhen goditje të forta. Është lëvizja më e fortë, apo veprimi më i fortë i SPAK dhe GJKKO që nga krijimi i reformës apo institucioneve të reja të drejtësisë. Sekuestrimi i inceneratorit të Tiranës është një nga veprimet që sjell përfitimet më të mëdha për publikun, sepse ndalon një vjedhje që vazhdonte në mënyrë të përmuajshme, me para publike që paguheshin, ndërkohë që e dinin të gjithë që kishim të bënim me një aferë.

Nuk besoj se ka qenë e vështirë për SPAK për të zbuluar pronarët reale pas inceneratorit, por mendoj se goditja, nëse do ta quanim vonë, ka ardhur sepse kemi të bëjmë me një veprim që ka pasoja të tjera nga mbrapa. Veçanërisht inceneratori i Tiranës është aferë korrupsioni shtetëror, kemi implikimin e gjithë qeverisjes dhe segmenteve të tera të shtetit në këtë aferë. Sekuestroja ka reperkursione, sepse do të thotë që këtu ka një faj, një krim. Sekuestro do të thotë që kompania s’mund të ndryshojë pronësi, nga ky moment e tutje, ajo do të administrohet nga shteti. Në rastin e Elbasanit dhe Fierit ishte Faraudin Arapi.

Sekuestroja është ndalimi i gjakderdhjes financiare që ndodhte aty. S’u lejon më akses pronarëve të koncesionit në paratë e kompanisë. Paratë janë nën kontrollin e plotë të administratorit shtetëror. Sot paratë shkojnë në kompani, por administrohen nga shteti, nga administratori publik, derisa çështja të gjykohet në themel, që do të marrë vendim nëse do kalojë në konfiskim përfundimtar të kompanisë, apo do shohë që s’ka vepër penale. Por pas sekuestrohet do të thotë që ka një krim, dhe duhet të vijnë të përgjigjen ata që kanë përgjegjësi në krim”, tha Tomorri.

I pyetur nëse do të ketë hetim të thelluar për çështjen, Tomorri shprehet:

“Akuzat në dosje e nxjerrin përgjegjësinë përtej personave të shpallur në kërkim, Zoto dhe Mërtiri, ata s’janë funksionar të shtetit që të kenë shpërdoruar detyrën.

SPAK tani ka dyshime dhe incidie të qenësishme që ka zyrtar të shtetit të përfshirë në këtë aferë, që duhet të vijnë të japin llogari. Ne do shohim më vonë se kë nga zyrtarët kanë provuar prokurorët që ka shpërdoruar detyrën, që ka bërë korrupsion pasiv, e kështu me radhë”.
Gazetari thotë se bashkia e Tiranës është klienti më i madh i koncesionarit të inceneratorit.

“Bashkia është klienti më i madh i koncesionarit të inceneratorit, sepse është depozituesi më i madh i mbetjeve aty. Është edhe klienti më i madh, që paguan më shumë, dhe në mos gaboj 1,2 miliardë lekë është fatura në vit. Aty s’ka inceneratorë, aty është një landfill, siç ka qenë para koncesionit. Tani është pak më i sistemuar, në mënyrën si kapsulohen mbetjet. Ne paguajmë lekë për incenerim, por incenerator s’ka. Tashmë loja ka ndryshuar. Veprimi i sotëm i SPAK ka reperkursione dhe pasoja shumë të mëdha në rrafshin penal për një sërë zyrtarësh të lartë. Është një aferë që do sjellë me patjetër tronditjen e qeverisë. Ndaj nëse do më lejoje të bëja një batutë, dhe nëse do të isha këshilltar i qeverisë, atyre zyrtarëve, ministrave, apo kryebashkiakë që janë përfshirë në çështje, do u rekomandoja që ta mendojnë buxhetin e shtetit dhe të ndërtojnë ndonjë burg, sepse në Shqipëri s’do ketë më vende në burgje, sepse kjo vetëm aferë mund të çojë dhjetëra e dhjetëra njerëz pas hekurave”.

I pyetur nëse do të shtrihen hetimet edhe te pagesat e bëra ndaj mediave, Tomorri thotë:

“Kjo është në diskrecionin e prokurorëve të SPAK. Që ka pasur pagesa është evidente, sepse kemi parë edhe reklama në TV. Mendoj që aty duhet sqaruar diçka, ka një fill të hollë që ndan paratë që janë dhënë në media për të ndikuar, shantazhuar, zyrtarë të ndryshëm që mund të kenë kundërshtuar inceneratorët e Tiranës, apo për të shantazhuar gazetarë që mund të kenë folur kundër aferës, sigurisht që këto janë vepra penale. Por do të isha më i kujdesshëm për paratë që mund të jenë shpërndarë në kuadër të fushatave publicitare. Sigurisht që ato kanë qenë para për të blerë median për të mos folur, por e shoh të vështirë të ketë akuzë për këtë pjesë”. 

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e MCN TV.