Vendosni fjalën kyçe....

Ndërtimi u rrit me 20.6% më 2022, por kontributi në punësim shënoi rënie


Sektori i ndërtimit ishte promotori kryesor i rritjes ekonomike vitin e kaluar, por kontributi i tij në punësim shënoi rënie në të njëjtën periudhë.

Të dhënat e INSTAT referojnë se sektori i ndërtimit u rrit me 20.6% gjatë vitit të kaluar, por kontributi në punësimin total ishte 7.6%, nga 8.1% që ishte në vitin 2022.

Vitin e kaluar, ekonomia e vendit u rrit me 4.8%, teksa kontributi i ndërtimit në këtë rritje për të gjithë vitin 2022 ishte 1 pikë për qind. Në të gjithë vitin 2022, ndërtimi kontribuoi me 20% në totalin e rritjes ekonomike.

Si sektori me zgjerimin më të shpejtë në ekonomi duhet të zgjeronte me tej kontributin në punësim, por të dhënat e INSTAT tregojnë të kundërtën, pasi pesha e sektorit në punësimin e përgjithshëm ka pësuar rënie. (shiko grafiqet bashkëngjitur)

Pjesa e madhe e proceseve të punës në sektor janë të bazuara në krahun e punës, por zgjerimi i sektorit nuk ka ndikuar as në punësimin dhe as në të ardhurat buxhetore.

Sektori i ndërtimit vuan nga informaliteti i lartë, i cili duket se është rritur me tej vitin e kaluar. Studimet nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) vlerësojnë se ndërtimi është sektori me informalitetin më të lartë nga sektorët jobujqësorë me rreth 60%.

Një situatë e ngjashme u vu re edhe në sektorin e turizmit. Sektori është përfshirë në zhvillime të vrullshme në vitet e fundit, prej rritjes së numrit të vizitorëve të huaj.

Paralelisht po nxiten edhe aktivitete ekonomike në hallkat e zinxhirit që lidhen me turizmin. INSTAT raportoi se në vitin 2022, numri i bizneseve që kanë aktivitet kryesor akomodimin ka ardhur në rritje me një zgjerim vjetor 23%.

Të dhëna zyrtare po nga INSTAT tregojnë se kontributi i sektorit të turizmit në punësimin me pagesë nuk u rrit më 2022. Hotelet dhe restorantet kontribuuan në 5.3% të totalit të punësimit me pagesë në rang vendi me të njëjtën peshë si me 2021.

Treguesit e punësimit janë përmirësuar më tej gjatë vitit të kaluar, por të dhëna të detajuara nga INSTAT tregojnë se punësimi pa pagë në biznesin e familjes është zgjeruar shumë më tepër se punësimi me pagë.

Në vitin 2022 u raportuan 279,542 të punësuar në biznesin e familjes pa pagë, ose 28 mijë persona më shumë se në vitin 2021,  teksa numri i të punësuarve me pagë ishte 12, 898 persona më shumë se në vitin 2021.

Siç shihet punësimi pa pagë është rritur dy herë më shumë se punësimi me pagë dhe është kontribuuesi më madh në rritjen e punësimit vitin e kaluar.

Shqipëria ka ende një hapësirë të madhe të pashfrytëzuar në tregun e punës e cila mund të përdoret për të ulur deficitet e skemës se pensioneve dhe të sigurimeve shëndetësore. informaliteti në Shqipëri mbetet shqetësues edhe për biznese dhe persona që veprojnë brenda kontureve të ligjit dhe shfrytëzojnë dobësitë e tij duke krijuar evazion fiskal./B.Hoxha

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor