Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet 52-vjeçari që po nxirrte inerte nga lumi Mat, në kërkim pronari i biznesit


Një 52-vjeçar është arrestuar pasi u kap në flagrancë gjatë natës, teksa gërryente me ekskavator, shtratin e lumit Mat.

Ndërkohë policia është vënë në kërkim për kapjen e pronarit të këtij subjekti ekonomik.

Në bashkëpunim me IMT Lezhë u sekuestrua 1 ekskavator dhe një sasi inertesh të përfituara në kundërshtim me ligjin.

“Në vijim të kontrolleve të pandërprera të mbështetura edhe nga informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për parandalimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, goditën një tjetër rast të gërryerjes së shtratit të lumit, me qëllim nxjerrjen e kundërligjshme të inerteve.

Për këtë rast, u kap në flagrancë teksa gërryente me ekskavator, dhe u vu në pranga shtetasi A. Z., 52 vjeç, banues në Kurbin. Gjithashtu, u shpall në kërkim pronari i subjektit që kryente këtë veprimtari të kundërligjshme, shtetasi F. V., 58 vjeç, banues në Tiranë.

Në bashkëpunim me IMT Lezhë, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 ekskavator dhe një sasi inertesh të përfituara në kundërshtim me ligjin.

Vijon puna për kapjen e 58-vjeçarit.

Monitorimi i territorit përreth lumit Mat, vijon.

Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme”-njofton policia.