Vendosni fjalën kyçe....

Një hero dhe 6 palaço (njëri prej tyre ‘shkëlqen’ se është gazetar), emrat e bërë publik për të cilët u arrestua Dritan Goxhaj


Policia e Tiranës arrestoi në fillim të kësaj jave ish-luftëtarin e  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dritan Goxhaj, lindur në Fier dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tij u bë me një vendim të datës 20 Korrik të Gjykatës së Tiranës, pas një letër-porosie të ardhur nga Prokuroria Speciale e Kosovës në Hagë.

Dritan Goxhaj, ka shkuar nga Shqipëria për të luftuar në Kosovë (së bashku me të atin, kolonelin Dilaver Goxhaj). Goxhaj i është bashkuar UÇK-së si oficer i Ushtrisë Shqiptare në shkollën e aviacionit dhe ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm që të mbante kontakte me komandën e forcave amerikane në Shqipëri.

Burime bëjnë me dije se arrestimi i Goxhajt është bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale, me pretendimin se “ka nxjerrë emrat e dëshmitarëve të fshehtë të disa çështjeve penale”.

Po cilët janë këta dëshmitarë?Dritani ka përmendur me emra 6 prej tyre në dy dalje të ndryshme në media.

Pak kohë më parë, gjatë një interviste në Euronews, ai tha se një prej këtyre dëshmitarëve është Altin Raxhimi, gazetar i BIRN, që është edhe bashkëautor i shkrimit për “Shtëpinë e verdhë” që u përdor më pas nga Karla del Ponte dhe Dick Marty për ngritjen e akuzave për UÇK-në.

Gjatë emisionit të datës 3 Prill të këtij viti, Goxhaj u shpreh se shkrimi i BIRN për trafikun e organeve ishte i porositur nga Beogradi dhe se gazetari kishte përfituar azil politik në Kanada.

“E gjitha ka nisur mbi bazën e një shkrimi të bërë nga gazetarët e Birn. Në atë kohë gazetarë Birn nuk kishte për Shqipërinë, por paguhej direkt nga Beogradi dhe shkrimin e ka bërë një amerikan dhe një shqiptar.

– Shqiptari është Altin Raxhimi i cili bëri këtë shkrim ku tha se janë arrestuar dhe mbajtur nga UÇK-ja në Kukës në këtë fabrikë 19 shqiptarë dhe për këtë shkrim që bëri ky zotëria ka përfituar dhe azil politik sot në Kanada dhe është dhe dëshmitar i fshehur dhe i mbrojtur i Prokurorisë Speciale kundër gjyqit që do të fillojë sot kundër personave të akuzuar. Këtë shkrim e ka marrë prokuroria e UMNIK-ut dhe ka nisur një proces gjyqësor në vitin 2009 mbi bazën e këtij shkrimi,” – u shpreh Goxhaj.

Po ashtu, në një shkrim me titullin “Mëmëdheu, UÇK-ja dhe gjykata speciale” ish-oficeri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Dritan Goxhaj ka nxjerrë emrat e dëshmitarëve që mbahen të fshehtë nga Gjykata Speciale.

Shkrimi “Mëmëdheu, UÇK-ja dhe gjykata speciale” është publikuar në disa media të Kosovës dhe nga DITA në Tiranë:

Më poshtë, ribotohen pjesë:

MËMËDHEU, UҪK-JA DHE GJYKATA SPECIALE

Nga Dritan Goxhaj

Dënimi që Gjykata Speciale i dha vitin e shkuar njërit prej pjesëtarëve të UҪK-së, luftëtarit Sali Mustafa, më solli ndër mend strofën e poezisë së Ali Asllanit: “Ҫ’do të thotë Patriot?”:

Ç’do të thotë patriot

sot për sot në Shqipëri?

Një tuf’ ah e një tuf lotë,

një njeri i pa njeri!

Dhe vërtet, ai dënim prej 26 vitesh burg, edhe më shumë seç i dënonte Sërbia shqiptarët që luftonin për çlirimin e atdheut kundër forcave të saj pushtuese, përveç tufës së lotëve dhe psherëtimave që lëshon shpirti, jo vetëm për luftëtarin por në përgjithësi për UҪK-në, tregoi se ajo ka mbetur: “një njeri i pa njeri”.

Edhe pse shumicë “ideologëve” të sotëm po thonë se, kur dënohet një luftëtar i UҪK-së, nuk do të thotë se akuzohet UҪK-ja, për të na mbushur mendjen se janë të ndara nga njëra tjetra, luftëtari dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Kur luftëtari dënohet mbi idenë e përgjegjësisë komanduese, kur ai akuzohet për “ndërmarrje kriminale/ grup kriminal”, atëherë automatikisht është evokuar organizimi në të cilin ai ka marrë pjesë.

Dhe vërtet tashmë janë vënë në balancë ideologjitë, të cilat janë në krizë me idealin. Ideali është Atdheu, UҪK-ja është pushka që çliroi Atdheun dhe, si e tillë, përfaqëson idealin. Ndaj duhet të dalim mbi ideologjitë dhe të rrekemi pas idealit.

Duhet me çdo kusht ta mbrojmë idealin, jo vetëm gojarisht dhe mediatikisht, por edhe fizikisht, në rast se e kërkon situata.

Dhe, tashti situata e kërkon që të mbrojmë idealin dhe UҪK-në duke sulmuar moralisht jo vetëm Prokurorinë Speciale dhe Gjykatën Speciale të posaçme kundër UҪK-së, por edhe duke ekspozuar të gjithë ata gjoja dëshmitarë në favor të kësaj prokurorie, e sidomos ata që janë të fshehur, e të mbrojtur.

Dhe në këtë vazhdë unë kam vendosur sot të ekspozoj emrat e këtyre biçim dëshmitarësh.

– I pari quhet Halim Berisha. Ish pjesëtar i UҪK-së me detyrë ushtar i thjeshtë në Br.153 të Zonës Operative të Llapit (ZOLL), por që Prokuroria e paraqiti si zv/komandant të Policisë Ushtarake të asaj Brigade. Gjatë dëshmisë së tij ky biçim luftëtari, pasi deklaroi se ishte ky që e kishte ndaluar viktimën, pretendoi se e kishte dorëzuar në vendqendrimin e njësisë që drejtohej nga Sali Mustafa.

Por ndërkohë, në asnjë fjalë të dëshmisë së tij, ky dhe Prokuroria nuk elaboruan se kush ja kish dhënë urdhrin Halim Berishës për të arrestuar dhe për të transportuar e dorëzuar viktimin në pikën e qëndrimit të BIA (Bahri,Ilir,Agron), njësi guerile e ZOLL-it.

Por, për të gjithë këtë maskaradë Prokuria ka vendosur që ta mbajë si dëshmitar të mbrojtur e të fshehur, duke e larguar Halim Berishën nga Kosova për në Francë.

Halim Berisha, një faqezi që, për një palë letra azili, shet idealin.

– Dëshmitari i dytë, edhe ky i fshehur e i mbrojtur, quhet Driton Babiqi, një narkoman si para, ashtue edhe gjatë dhe pas lufte. Edhe ky është një nga ata dëshmitarë të sajuar të Prokurorisë Speciale, i cili, ushtarët e UҪK-së i ka parë vetëm ditën e çlirimit, pasi kurrë nuk ka qënë i ndaluar nga UҪK-ja.

Edhe këtë “dëshmitar”, për një palë letra azilanti, Prokuroria e përdori nën një dëshmi të sajuar dhe tashmë e ka vendosur në Danimarkë.

Aq shumë është kujdesur Prokuria Speciale e Kosovës për këta të dy, sa ka arritur gjer aty sa të ndikojë nëpëmjet lidhjeve të saj politike, që kanali televiziv Top Chanel, këtu në Tiranë, në Shqipëri, para disa kohësh organizoi një reportazh gjoja mbi Gjykatën Speciale dhe në këtë reportazh, midis të tjerave, thotë se “edhe dy dëshmitarët e mbrojtur e të fshehur të Prokurorisë në çështje kundër Sali Mustafës kanë vdekur”.

Por ja që realisht u mësua se të dy këta dëshmitarë të lart përmendur janë shëndoshë e mire, si kokrra e mollës.

– Dëshmitari i tretë, edhe ky i mbrojtur dhe i fshehur, quhet Nazlie Balaj. Kjo është këshilltare e Ministres së Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës. Përveç faktit që është e afërme e viktimës, askush nuk i bie dot në fije se si ka mundur kjo të jetë dëshmitare për një ngjarje të cilën ajo vetëm e ka dëgjuar. Edhe kjo njësoj si Babiqi, UҪK-në e ka parë vetëm kur ka mbaruar lufta, por për Prokurorinë kjo nuk ka rëndësi, rëndësi ka të lexosh atë që të jep Prokuria për ta lexuar para Gjykatës.

– Dëshmitari i katërt, edhe ky i mbrojtur dhe i fshehtë, quhet Rrahim Gashi, një ish bashkpunëtor i policië sërbe dhe tashti në azil, në Francë, nën mbrojtjen e Gjykatës Speciale.

– Dëshmitari i pestë quhet Hamdi Gërvalla, edhe ky dëshmitar i mbrojtur i Prokurorisë Speciale. Një ish i burgosur politik, nga ata të hershmit, kur akoma nuk ishin krijuar LPK e LKҪK e as LDK. I vetmi person i ndaluar nga UҪK-ja me akuzën: për shpërdorim e keqpërdorim të fondeve humanitare gjatë pushtimit.

Dy dëshmitarë të tjerë të mbrojtur e të fshehur janë pjesëtarë të familjes së viktimës, dhe për këtë arsye atyre nuk po jua vë emrin këtu, pasi mund të merret me mend gjëndja e tyre psiqike dhe emocionale për familjarin e tyre. E në këtë derexhe mund të manipulohesh shumë kollaj për të thënë çfarë kanë dëshirë ata që dirigjojnë këtë proces.

Ndërsa disa dëshmitarë të tjerë, që ishin transparent fizikisht në këtë proces, nuk ishin aq transparentë edhe moralisht dhe juridikisht. E them këtë, pasi ata duhej të mbanin përgjegjësinë e detyrës, të cilën e kanë mbajtur në atë kohë, dhe t’i dilnin për zot detyrës dhe veprimeve të tyre të fshehta, e mos të bënin folklorizime në këtë Gjykatë, duke u munduar t’i ikin përgjegjësive si i mbyturi që kapet për fije të flokut.

Më e pakta do të duhej që t’i kërkonin falje bashkluftëtarit të tyre, që kanë marrë pjesë nëpër intervista të fshehta me Prokurorinë prej vitit 2008 e këtej.

Por kjo tregoi se këta, ose nuk kanë pasur ndonjë farë ideali, ose e kanë humbur atë rrugës, duke e zëvendësuar me egon e tyre të sëmurë.

Ashtu siç edhe shihet nga lloji i dëshmitarëve, që kjo Prokurori ka përdorur, vërehet se i gjithë ky proces është ngritur mbi dëshmi të rreme, por që Gjykata, në emër të Mëmëdheut i ka konsideruar të vërteta.

Dhe, mbi këto lloj dëshmish e këta lloj dëshmitarësh Gjykata dhe Prokuroria Speciale Ndërkombëtare e Kosovës po na e përbaltin pushkën, Ushtrinë Ҫlirimtare të Kosovës.

Tash na ka mbetur vetëm Atdheu – Kosova. Por, siç duket, edhe atë po na e marrin, pasi na akuzojnë e dënojnë në emër të saj.

VINI RE: Artikulli është marrë nga Gazeta Dita (print).