Vendosni fjalën kyçe....

Të paktën 14 të plagosur nga një sulm me thikë në Korenë e Jugut


Të paktën 14 persona u plagosën të enjten pasi një burrë e futi makinën e tij mes këmbësorëve dhe më pas sulmoi me thikë pranë një stacioni metroje në qytetin Seongnam, në jug të Seulit.

Nëntë persona u goditën me thikë në vend, ndërsa pesë të tjerë u plagosën pasi i dyshuari futi një makinë në vendkalimin e këmbësorëve përpara sulmit me thikë, tha anëtari i qeverisë së provincës Gyeonggi, Lee Ki-in në një deklaratë në Facebook.

Nga 14 të plagosurit, 12 janë plagosur rëndë dhe dy persona pësuan lëndime të lehta, sipas Shërbimeve të Zjarrfikësve Gyeonggi-do, sipas CNN.

Policia e arrestoi të dyshuarin 10 minuta pasi u raportuan për këtë incident, sipas agjencisë së lajmeve të Koresë së Jugut Yonhap.

Vetëm ditë më parë një person u vra dhe të tjerë u plagosën në një tjetër sulm me thikë në Seul. Megjithatë, incidente të tilla janë të rralla në Korenë e Jugut, ku krimi i dhunshëm është i ulët.