Prokuroria e Tiranës me vendim të gjykatës, mori edhe 3 muaj të tjerë kohë për të hetuar Alda Klosin, ish-zyrtaren e Ministrisë së Financave, e cila akuzohet për pastrimit parash, mosdeklarim të pasurisë dhe deklarim të rremë.
Ndërkohë avokati i Klosit, Arbër Hoxha, thotë se klientja e saj po mbahet në burg pa provë dhe vetëm bazuar në dëshminë e sanitares. Ai ngre shqetësimin e mos përfundimit edhe pas 4 muajsh të akt-ekspertimit kontabël të të ardhurave të Alda Klosit.
“Kanë kaluar më shumë se 4 muaj dhe akti i ekspertimit nuk është bërë ende gati. Duhet të ketë një dyshim të arsyeshëm në prova për të qëndruar në masën e sigurimit “arrest me burg”. Vullneti i Alda Klosit është që duhet rrëzuar vullneti i prokurorisë. Ndaj saj duhet të kishte disa prova dhe një dyshim të arsyeshëm. Nuk ka një hetim konkret për gjetjen e parave në shtëpinë e Rozeta Dobit”, tha ai.
Alda Klosit i është refuzuar disa herë zbutja e masës së sigurisë, pas kërkesave të vazhdueshme në gjykatë me pretendimin se duhet të kujdeset për djalin.
“Alda Klosi është e divorcuar dhe djali i saj ka lënë edhe marrëdhënien me shkollën sepse ka kriza të ankthit dhe depresionit”, tha Hoxha.
Emri i Alda Klosit përmendet disa herë në dosjen “Arben Ahmetaj”, por për këtë sipas Hoxhës, nuk ka asnjë procedim penal apo marrje në pyetje nga SPAK.
“Ndaj Alda Klosit nuk ka asnjë procedim dhe as që ka dijeni për veprën penale, gjithë këto të tjerat duhet parë nëse ka diçka të vërtetë apo jo. Nuk ka procedim për inceneratorët dhe as për shumën e parave dhe as marrje në pyetje nga SPAK”, tha ai.