Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Rezultati i 14 majit nuk mund të pranohet kurrë, ishin zgjedhjet më të pabarabarta


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar ka deklaruar se rezultati i zgjedhjeve të 14 majit nuk mund të pranohet.

Berisha duke dhënë argumentet se përse ishin zgjedhjet më të barabarta theksoi se PD me 61 kandidatët e saj në mbarë vendin, pati zero financime nga buxheti i shtetit, përkundrejt 1.2 milionë euro që mori paterica e Ramës, me 12 kandidatë.

Pjesë nga fjale e Berishës:

Këto zgjedhje ishin më të pabarabartat në histori, pasi Edi Rama refuzoi regjistrimin e kryetarit të koalicionit opozitar.

Këto zgjedhje ishin më të pabarabartat në historinë e pluralizmit, pasi partia kryesore e opozitës, nuk pati asnjë anëtar në komisionet e votimit dhe numërimit të votave.

Këto zgjedhje ishin zgjedhjet më të pabarabartat, pasi PD me 61 kandidatët e saj në mbarë vendin, pati zero financime nga buxheti i shtetit, përkundrejt 1.2 milionë euro që mori paterica e Ramës, Brava-Alibasha me 12 kandidatë.

Por, para se të kalojmë në aspekte të tjera të farsës zgjedhore, unë këtu para jush u them demokratëve dhe mbarë shqiptarëve se mjafton kjo pabarazi ekstreme për të cilën fola më sipër, që çdo proces zgjedhor të shndërrohet në një farsë elektorale.

Rezultati nuk duhet dhe nuk mund të pranohet kurrë.

Ua them këtë këtu, sepse unë dhe ju, ndeshemi rëndom me pyetjen: këta na i vjedhin, po ne çfarë bëjmë?

Ua them këtu sepse rëndom, për fatin më të keq, janë jo të paktë ata, të cilët pranojnë fitoren kallp si fitore të vërtetë.

Edhe njëherë u them, mjafton dhunimi i këtyre kritereve për të asgjësuar një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.

Në këtë farsë, pabarazia ekstreme, që unë u ndala më sipër, është vetëm njëri aspekt.

Dy makineri gjigante funksionuan gjatë kësaj farse elektorale sa kurrë ndonjëherë për shkatërrimin e zgjedhjeve dhe blerjen e votave. Njëra ishte blerja e votës. kësaj here, siç jeni dëshmitar, pasi e shpalli Kodin Zgjedhor si kinezëri, Edi Rama përdori zarfin me 50 mijë lekë për 683 mijë pensionistë.

Përveç kësaj, shpalli rritjen e rrogave për 187 mijë punonjës.

Pra, me vendim zyrtar, kreu i ekzekutivit preku haptas, publikisht 867 mijë votues. Me para.

Nuk ishte vetëm kjo. Në kontekst të blerjes publike të votës, u shtuan në ndihmën ekonomike me dhjetëra mijëra qytetarë. Vetëm në rrethin e Peshkopisë, Belinda Balluku mori dhe shpërndau për të blerë votat nga buxheti i shtetit 400 milionë lekë për personat me aftësi ndryshe. Në gjithë Shqipërinë, kjo faturë shkon në miliarda lekë.

Për të blerë votën publikisht, u përdorën mijëra leje ndërtimi, leje legalizimi dhe licenca. Të gjitha këto në shkelje flagrante të Kodit Elektoral dhe Kodit të Venecias.

Për të blerë votën u shpenzuan qindra milionë euro në asfalt elektoral, zhavorr elektoral, tubacione elektorale.

Paraja nën dorë u përdor sa asnjëherë më parë. Nisur nga partia e Tom Doshit, paraja nën dorë, ka pasur një efekt të tmerrshëm toksik mbi votën.