Vendosni fjalën kyçe....

Dogji kabllo për të përfituar bakrin, zjarri u përhap dhe në toka, arrestohet 59-vjeçari në Durrës


Një 59-vjeçar është arrestuar nga policia pasi ndezi zjarr për të djegur kabllo dhe për pasojë, dogji 1 dynym tokë në pronësi të një shtetasi tjetër si dhe rrezikoi dëmtimin e banesave përreth dhe shkaktoi ndotje të lartë të ajrit.

Ngjarja ndodhi në fshatin Arapaj të Durrësit ku shtetasi R.K digjte kabllo për të përfituar bakrin.

“Menjëherë pas marrjes së njoftimit se në fshatin Arapaj, një shtetas kishte ndezur një zjarr që po dëmtonte pronat përreth, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme dhe profesionale, kanë bërë të mundur neutralizimin e flakëve, si dhe arrestimi në flagrancë të autorit të dyshuar të këtij rasti, shtetasit R. K., 59 vjeç, banues në fshatin Rrashbull, Durrës.

Për shkak se 59-vjeçari kishte ndezur zjarr për djegien e disa kabllove (me qëllim përfitimin e bakrit), u dogj 1 dynym tokë në pronësi të një shtetasi tjetër, u rrezikua dëmtimi i banesave dhe pronave të tjera përreth, si dhe u shkaktua ndotje e lartë e ajrit në zonë.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi ky veprim përbën krim dhe ndëshkohet penalisht, si dhe i fton ata që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të tillë, me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme për shuarjen e flakëve dhe për procedimin penal të shtetasve përgjegjës”- njofton policia.