Vendosni fjalën kyçe....

Gjysmë të vërtetat mbi inceneratorët dhe makthi i Berishës në gusht


Nga Mero Baze

Ka një nxitim të dukshëm nga opozita të prodhojnë një zhurmë fals me “fakte alternative” mbi aferën e inceneratorëve, duke përdorur së fundmi çështjen e Arben Ahmetaj.

Për këtë po përpiqet së pari të krijojë një klimë terrori dhe makthi mbi familjen e Ahmetaj, ish- gruan, fëmijët dhe partneren e re, duke shpikur lajme arrestimesh për to, me qëllim që të justifikojë rolin “mbrojtës” të tij.

Së dyti, po përpiqet pak nga pak të normalizojë lajmin që Berisha është në kontakt me Arben Ahmetaj. Në fillim u përpoq ta bënte të qartë se nuk kishte lidhje direkte me të, por me të tretë, pastaj tha se nuk ka problem nëse ai i shkruan atij vet.

Në fakt asgjë nga këto nuk është e vërtetë.

Familjarët e Ahmetaj nuk janë nën arrest dhe nuk ka ndonjë urdhër arresti për ta. Dhe Arben Ahmetaj nuk ka konfirmuar se ka ndonjë linjë komunikimi me Sali Berishën. Dhe mund ta vendosë, nuk është ndonjë çudi e madhe, por së paku deri tani nuk ka ndodhur.

Ajo që ka ndodhur deri tani është se personazhet e inceneratorëve, që në fillim ishin vëllezër me njëri- tjetrin e pastaj u përleshën se nuk ndanë mirë gjërat, tani vazhdojnë luftën ndaj njëri- tjetrit, duke shpërndarë copa lajmesh dhe faktesh, të cilat shërbejnë vetëm për të krijuar ngjarje politike me inceneratorët. Berisha tani është me një palë prej tyre, dhe shpreson të shtyjë vapën e gushtit me ta.

Po të shikosh dhe shtypin, po ashtu është i ndarë. Disa media që kanë qenë përfituese të mëdha reklamash dhe sponsorizmesh nga inceneratorët, pas vitit 2018, janë njëkohësisht dhe denoncuesit e Arben Ahemtaj dhe bërtasin për luftë kundër korrupsionit të inceneratorëve, pa përmendur shumë pronarët e tyre.

Disa të tjera, kryesisht portale, më të lidhura me opozitën e Berishës dhe Metës, madje disa te hapura enkas këto muaj për këtë hall, konsiderojnë se inceneratorët janë pronë e Ramës dhe Veliajt, të cilët sipas tyre kanë shok Zoton dhe Mërtirin, çka në fakt e dinë shumë mirë që nuk kanë qenë shokë të tyre.

Të dyja palët pra janë në luftë me gjysmë të vërtetat për këtë histori të pisët korrupsioni. Nëse SPAK e çon deri në fund hetimin me ndershmëri dhe pa u kompleksuar nga Berisha, siç është kompleksuar deri më sot, do jetë e qartë për të gjithë si ka nisur dhe si po përfundon kjo histori. Dhe nuk do ketë nevojë as për qytetar digital, as për t’u përdorur Berisha si telefon i prishur për Ahmetajn dhe as TV e tjerë si telefon i prishur për Zoton e Mërtirin.

E vetmja gjë që mund të bëjë Berisha në këto ditë gushti është të dalë përditë në orë 12, me shpresë se SPAK do trembet dhe nuk do t’ia thërrasë dhëndrin apo djalin për dosjet e tyre që ka në gjykim. Dhe SPAK deri tani ka dhënë prova se qeverinë nuk e ka frikë, por Berishës nuk i prekin as qimen e flokut. Te shohim tani e tutje qe e kanë dhe “rival” në hetime!