Vendosni fjalën kyçe....

Ish-kryeministri i Pakistanit Imran Khan dënohet me tre vjet burg


Ish-kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, është dënuar me tre vjet burg për akuza për korrupsion.

Një gjykatë në Islamabad e shpalli atë fajtor për mosdeklarimin e parave që kishte fituar nga shitja e dhuratave shtetërore. Ai i mohon akuzat dhe thotë se do të apelojë.

Pas vendimit, zoti Khan u mor në paraburgim nga shtëpia e tij në Lahore, sipas BBC.

Khan u zgjodh në vitin 2018, por u rrëzua në një votë mosbesimi vitin e kaluar pasi u përplas me ushtrinë e fuqishme.

Gjykata vendosi gjithashtu një gjobë prej 100,000 rupi (451 dollarë).

Ndërsa vendimi i gjykatës u njoftua, një turmë, e cila përfshinte disa avokatë prokurorë, filloi të thërriste “Imran Khan është një hajdut” jashtë ndërtesës.

Zoti Khan po përballet me më shumë se 100 raste të ngritura kundër tij që nga rrëzimi në prill 2022 – akuza që ai thotë se janë të motivuara politikisht.

Për muaj të tërë ai i ishte shmangur arrestimit, me përkrahësit e tij që nganjëherë bënin beteja të forta me policinë për ta mbajtur atë jashtë paraburgimit.

Në maj, Khan u arrestua pasi nuk u paraqit në gjykatë siç kërkohej. Më pas ai u la i lirë, me arrestimin e shpallur të paligjshëm.

Shumë zyrtarë të lartë janë larguar dhe mijëra mbështetës janë arrestuar, të akuzuar si të përfshirë në protestat që pasuan arrestimin e zotit Khan.

Ushtria e Pakistanit luan një rol të spikatur në politikë, ndonjëherë duke marrë pushtetin në grusht shteti ushtarak dhe, në raste të tjera, duke tërhequr leva prapa skenave.

Shumë analistë besojnë se fitorja zgjedhore e zotit Khan në 2018 ndodhi me ndihmën e ushtrisë.

Në opozitë, ai ka qenë një nga kritikët më të zëshëm të saj dhe analistët thonë se popullariteti i ushtrisë ka rënë

Që kur u rrëzua, Khan ka bërë fushatë për zgjedhje të parakohshme.

Dënimi do ta skualifikonte zotin Khan nga kandidimi për postin, ndoshta përgjithmonë.

Parlamenti i Pakistanit do të shpërndahet më 9 gusht, duke lënë një qeveri të përkohshme të marrë drejtimin në prag të zgjedhjeve.

Ndërkohë nuk është shpallur data e zgjedhjeve, megjithëse sipas kushtetutës ato duhet të mbahen në fillim të nëntorit.