Nga Mero Baze
Sapo kanë nisur punimet tek kulla më e lartë që do të ndërtohet në kryeqytet, tek ish- “Gropa e Ajdin Sejdisë”, dhe kanë nisur një sërë reagimesh. Në fakt leja për kullën nuk është dhënë sot, ka kohë që është dhënë. Dhe procedura ka qenë publike.
Për hir të së vërtetës, projekti i kullës është shumë i bukur dhe nëse arrin të ndërtohet mund të krijojë një harmoni me pjesën tjetër të kullave në Tiranë.
Reagimin që unë kam pasur ndaj këtij projekti, nuk e kam për cilësinë e kullës apo për lulishten e Ajdin Sejdisë, që për vite të tëra ka qenë gropë mbeturinash dhe qendër prostitucioni në Tiranë.
Shqetësimin e kam pasur kur kam parë që “investitorët” janë gjysma sekserë mes Ramës e Berishës, dhe gjysma njerëzit më të afërt të djalit të Berishës, me të cilët bën punë ndërtimore në Tiranë. Pra shqetësimi që unë kam bërë publik tek intervista me kolegun Rakipi, është tek koncepti se si e poshtëron Edi Rama atë që bën si “i forti” i opozitës, duke e mbajtur në lojë me biznese leje ndërtimi dhe duke përdorur sekserët e tij si negociatorë.
Pra nuk isha i shqetësuar për kullën si ndërtim, se ajo edhe pse e bën dikush që nuk e dua, prapë është e bukur. Problemin e kisha me këta që na shesin moral për lekët e drogës e lekët e korrupsionit, dhe tentojnë të ndërtojnë një godinë 200 milionë euro me një betoniere të deklaruar dhe me biznesin e sekserit mes Ramës e Berishës.
Ndaj reagimet ndaj kësaj historie duhet të jenë reagime politike, jo urbanistike. Përveçse nuk jam shumë kompetent të flas për standardet urbanistike, dhe akoma më keq, përveç faktit që kulla nuk më duket e keqe, jam i predispozuar të kuptoj cila pjesë e shoqërisë është e shqetësuar politikisht nga korruptimi poshtërues i Sali Berishës prej Edi Ramës.
Pashë ata të lëvizjes “Bashkë” të Arlind Qorrit që ishin të shqetësuar për lulishten. Mendoj se lulishtja do bëhet dhe më e bukur rrotull kullës, kot e kanë si shqetësim. Nëse nuk janë të shqetësuar politikisht, është mirë të ikin në plazh, se mesi i gushtit.
Pashë dhe Lulzim Bashën që e nis shqetësimin me lulishten dhe e mbaron me pazaret që bëhen natën. Mirë do të ishte në këtë rast të përmendte emrat, se Berisha nuk do ta kursente dhe nuk e kursen as për gënjeshtra, jo më për të vërteta.
Për hir të së vërtetës vetëm Altin Goxhaj e ka trajtuar si pazar, dhe madje ka bërë sakrificë sublime duke mos futur Sorosin si sekser, por Gimen dhe Sandrin.
Pra që ta mbyllim këtë histerinë rreth historisë së kullës në qendër të Tiranës me pak fjalë: Nuk është gabim kulla, as nuk është halli tek lulishtja. Nëse nuk flisni dot se si Edi Rama poshtëron Sali Berishën duke e detyruar të fusë kokën mes shalëve siç bën gjithmonë kur i dalin pazaret e të birit apo të bijës, më mirë mos flisni.
Sa për lulishten, ajo do të bëhet më e bukur dhe kulla do të jetë shumë me e mirë se gropa e Ajdin Sejdisë.
Mos u shqetësoni. Po qe se gjithë këtë luftë “parimore” opozitare e keni për të kap ndonjë si kjo kulla, ja ka vlejtur. Po vetëm për familjen Berisha! Ju të tjerët prisni dhe disa vite.