Vendosni fjalën kyçe....

Treni del nga binarët në Pakistan, 22 të vdekur dhe 50 të lënduar


Të paktën 22 persona kanë vdekur dhe mbi 50 të tjerë janë lënduar si pasojë e daljes së një treni nga shinat në jug të Pakistanit të dielën, njoftuan zyrtarët pakistanezë.

Younis Chandio, zyrtar i lartë policor, tha për mediat lokale më 6 gusht se operacionet e shpëtimit kanë nisur për t’i nxjerrë njerëzit nga vagonët.

Ai tha se 10 vagonë të trenit dolën nga binarët.

Ndërkohë, ministri i Hekurudhës i Pakistanit, Khawaja Saad Rafique, tha se “ky është një aksident shumë i madh. Ekipet e shpëtimit kanë mbërritur në vendngjarje”.

Treni doli nga binarët afër stacionit hekurudhor Sahara në qytetin Nawabshah, në jug të provincës Sindh, përcjell REL.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale i shfaqin dhjetëra njerëz në vendngjarje, disa prej të cilëve duke i thyer dritaret për t’i ndihmuar udhëtarët të dalin nga vagonët e rrokullisur.

Aksidentet dhe daljet e trenit nga binarët ndodhin shpesh në sistemin e vjetruar hekurudhor në Pakistan.

Në qershor 2021, dy trena u përplasën mes vete afër Daharkit në Sindh, duke i vrarë të paktën 65 njerëz dhe duke i lënduar rreth 150 të tjerë.

Të paktën 75 udhëtarë u dogjën në një zjarr që e kishte kapluar trenin Tezgam në tetor 2019, derisa nga përplasja e dy trenave në Ghotkit u vranë më shumë se 100 njerëz më 2005.