Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina godet me raketa urat lidhëse midis Krimesë dhe Khersonit


Shpërthimet goditën urat kryesore rrugore që lidhin Krimenë e pushtuar me pjesë të rajonit Kherson nën kontrollin rus, thonë autoritetet ruse, ndërsa Ukraina përshkallëzon shënjestrimin e saj ndaj infrastrukturës dhe territorit rus.

Shpërthimet erdhën në të njëjtën ditë kur kryebashkiaku i Moskës tha se një dron ishte rrëzuar duke iu afruar qytetit dhe menjëherë pasi Ukraina goditi një nga cisternat më të mëdha të naftës ruse me një dron detar, si dhe duke kryer një sulm në një bazë të madhe detare, sipas CNN.

Ushtruesi i detyrës së kreut të rajonit Kherson, Vladimir Saldo, i emëruar nga Rusia, thotë se raketat që goditën dy ura në Krime të dielën ishin të gjitha Storm Shadows, një raketë me rreze të gjatë veprimi të lëshuar nga ajri i furnizuar Ukrainës nga Mbretëria e Bashkuar.

Saldo tha se dy urat përdoreshin nga trafiku civil dhe jo ushtarak. Një çarje në një tubacion gazi që kalonte përgjatë urës kishte ndërprerë furnizimet për 20,000 banorë të qytetit të Henichesk në Kherson.

Saldo tha: “Është ky lloj sulmi i poshtër me raketa që nuk mund të falet. Është si një kafshë e plagosur që kthehet mbrapsht.

“Këto sulme nuk bëjnë asgjë për operacionin special ushtarak që është duke u zhvilluar … Ata kanë vendosur të marrin hak të vogël ndaj civilëve dhe atyre që tani po lëvizin nëpër territorin e rajonit Kherson.”