Vendosni fjalën kyçe....

Certifikohen rezultatet e 14 majit, KQZ miraton edhe rezultatet e Himarës dhe Kukësit


Komisioni Rregullator pranë KQZ-së certifikoi këtë të hënë rezultatin përfundimtarë për kryetarët e bashkive, ku partia socialiste ka triumfuar në pjesën më të madhe të vendit.

Rezultatet e zgjedhjeve në shkallë vendi dolën me 53 bashki të fituara nga socialistët kundrejt vetëm 7 bashkive të marra nga opozita.

Në Kavajë, Has,  Fushë Arrëz, Pukë, Mirditë, Himarë dhe Memaliaj koalicioni Berisha Meta pati më shumë vota se rivalët zgjedhorë, por bashkitë e mëdha të konsideruara bastione të djathta si Shkodrën dhe Kamzën, i humbën.

Përpjekjet e opozitës për të ankimuar rezultatin me 6 padi nuk patën efekt për ndryshimin e rezultatit, as në Rrogozhinë ku u përsëritën zgjedhjet.

Me shumicën pro miratimit të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 14 majit, koalicioni Bashkë fitojmë duket se shpresën e vetme e ka te Bashkia e Kukësit, ku do të rizhvillohet procesi zgjedhor.

Edhe pse u miratua rezultati për Kukësin, ku u rizgjodh Safet Gjici më 14 maj, pas dorëheqjes së tij prej skandalit intim në zyrë, zgjedhjet do të përsëriten, por presidenti ende nuk ka zbuluar datë.

“Ky është miratimi i rezultatit më 14 maj. Se çfarë ka ndodhur më pas, nuk merret KQZ, pritet dekreti nga Presidenti”– tha Ilirjana Nano- kryetare, komisioni rregullator.

Komisioni Rregullator certifikoi edhe fitoren e Fred Bejlerit, pavarësisht se ndodhet në burg. Nëse do të ketë zgjedhje të reja në këtë zonë apo jo, vendimin e ka në dorë Gjykata. Deri atëherë Bashkia e Himarës do të vazhdojë të drejtohet nga Jorgo Goro.